Një pilulë e re që pihet çdo ditë mund të ulë nivelin e kolesterolit të keq me 60%, sipas një studimi të ri. Enlicitide, e zhvilluar nga kompania Merck, uli kolesterolin LDL, të njohur si “kolesteroli i keq”, me më shumë se gjysmën, në një studim global të botuar këtë javë në JAMA, revistë e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë.
Prova klinike, e udhëhequr nga dr. Christie M. Ballantyne nga Texas Heart Institute, u zhvillua në 59 qendra mjekësore në 17 vende të ndryshme.
Studimi përfshiu 303 të rritur të diagnostikuar me hiper-kolesterolemi familjare heterozigote (HeFH), një gjendje gjenetike që rrit nivelin e LDL-së dhe rrezikun e sëmundjeve të hershme të zemrës.
Të gjithë pjesëmarrësit po merrnin tashmë barna të tjera për uljen e yndyrave, por nivelet e tyre të kolesterolit mbeteshin mbi objektivin, sipas deklaratës së studiuesve. Pjesëmarrësit u ndanë rastësisht për të marrë ose 20 mg Enlicitide një herë në ditë, ose një pilulë placebo.

Prova zgjati 52 javë. Deri në javën e 24-t, personat që morën Enlicitide panë një rënie mesatare 58% të LDL-së. Ata që morën placebo pothuajse nuk patën ndryshim. Diferenca mes grupeve, pothuajse 60%, ishte statistikisht e rëndësishme, dhe efekti mbeti i qëndrueshëm deri në fund të vitit.
Pas 52 javësh, grupi që mori Enlicitide pati rreth 55% ulje të LDL-së, ndërsa tek grupi placebo kolesteroli u rrit pak. Edhe tregues të tjerë të yndyrave të dëmshme u përmirësuan: kolesteroli jo-HDL ra me 52%, apolipoproteina B u ul me 48% dhe lipoproteina(a) u reduktua gati 25%.
Rreth 97% e pjesëmarrësve e përfunduan studimin, dhe shkalla e efekteve anësore ishte pothuajse e njëjtë në të dy grupet. Problemet më të zakonshme ishin të lehta dhe të përkohshme, si dhimbje koke apo simptoma të ngjashme me të ftohurën. HeFH prek rreth një në 250 persona në botë, dhe shumë prej tyre kanë vështirësi të kontrollojnë kolesterolin edhe me terapi intensive, thotë studimi.
Aktualisht, ilaçet bllokuese të PCSK9 (të quajtura inhibitorë të PCSK9), që japin rezultate të ngjashme, janë injeksione që merren çdo disa javë. Enlicitide mund të ofrojë një alternativë më të thjeshtë, një pilulë e vetme, ditore.
Studiuesit theksuan se rezultatet duhen parë me kujdes. Studimi u fokusua vetëm te nivelet e kolesterolit, jo te parandalimi i sulmeve në zemër, goditjeve në tru apo vdekjeve. Studimet më të mëdha për këto rezultate janë ende në zhvillim.

Po ashtu, studimi përfshiu vetëm persona me HeFH që tashmë merrnin trajtime të tjera, ndaj nuk dihet si do të funksionojë ilaçi te njerëzit me forma më të zakonshme të kolesterolit të lartë.
Gjithashtu, studimi zgjati vetëm një vit, kështu që siguria afatgjatë mbetet për t’u vlerësuar. / Fox News – Syri.net


