Shëndetësi

Njerëzit mund të kenë deri në 33 shqisa

Të mbërthyer para ekraneve gjatë gjithë ditës, shpesh i kushtojmë vëmendje vetëm shikimit dhe dëgjimit. Por shqisat tona të tjera janë gjithmonë në punë. Kur jemi më të përqendruar, ndiejmë sipërfaqet e ashpra ose të lëmuara të objekteve, ngurtësinë në shpatulla apo butësinë e bukës.

Në mëngjes ndiejmë mprehtësinë e pastës së dhëmbëve, dëgjojmë dhe ndiejmë ujin e dushit, nuhasim shampon dhe më vonë aromën e kafesë së sapopërgatitur.

Aristoteli thoshte se njeriu ka pesë shqisa. Por siç nuk besojmë më se bota përbëhet nga pesë elemente, edhe kërkimet moderne tregojnë se mund të kemi shumë më tepër shqisa, ndoshta dhjetëra.

Pothuajse çdo përvojë është shumëshqisore. Ne nuk shohim, dëgjojmë, nuhasim dhe prekim veç e veç; këto ndodhin njëkohësisht dhe krijojnë një përjetim të vetëm të botës dhe të vetes.

Ajo që ndiejmë ndikon në atë që shohim, dhe ajo që shohim ndikon në atë që dëgjojmë. Aroma e shampos, për shembull, mund të ndikojë se si e perceptojmë teksturën e flokëve. Një aromë trëndafili mund t’i bëjë flokët të duken më të butë. Po kështu, aromat në kosin me pak yndyrë mund ta bëjnë atë të duket më i trashë dhe më i pasur në gojë.

Sipas profesor Charles Spence nga Universiteti i Oksfordit, neuroshkencëtarët mendojnë se njeriu mund të ketë nga 22 deri në 33 shqisa.

Njëra prej tyre është proprioceptimi, që na lejon të dimë ku ndodhen gjymtyrët tona pa i parë. Ndjenja e ekuilibrit varet nga kanalet e veshit të brendshëm, shikimi dhe proprioceptimi. Një tjetër është interoceptimi, me të cilin ndiejmë ndryshime brenda trupit, si rritja e rrahjeve të zemrës ose uria.

Kemi edhe ndjenjën e kontrollit mbi lëvizjet tona. Tek disa pacientë pas goditjes në tru, kjo ndjenjë humbet, deri në pikën që ata mendojnë se dikush tjetër po ua lëviz krahun. Ka gjithashtu ndjenjën e pronësisë së trupit: disa pacientë mendojnë se një gjymtyrë nuk është e tyre, edhe pse e ndiejnë.

Edhe shqisat “tradicionale” janë të përbëra. Prekja përfshin dhimbjen, temperaturën, kruarjen dhe ndjesitë e prekjes. Shija, në fakt, është bashkimi i trI shqisave: shijes, nuhatjes dhe prekjes. Gjuha dallon të ëmblën, të kripurën, të thartën, të hidhurën dhe umamin, por shijet e frutave vijnë kryesisht nga nuhatja.

Zhurmat ndikojnë edhe në shije. Në avion, shijet e kripura dhe të ëmbla ndihen më pak, ndërsa umami jo. Kjo është arsyeja pse lëngu i domates shijon më mirë gjatë fluturimit.

Shqisat janë një fushë e pasur kërkimi. Ato punojnë së bashku në mënyra të ndërlikuara dhe shpesh na mashtrojnë. Prandaj, herën tjetër kur ecni jashtë apo shijoni një vakt, ndaloni pak dhe vlerësoni se si shqisat tuaja bashkëpunojnë për t’ju bërë të përjetoni botën. / The Conversation – Syri.net