Edhe pse jemi pjesë e familjes së primatëve të quajtur Majmunët e Mëdhenj, kemi një sërë dallimesh nga kushërinjtë tanë më të afërt gjenetikisht. Tipari ynë më i dukshëm dallues është truri ynë i madh, që është rreth tri herë më i madh se ai i një shimpanzeje, ndonëse ngjashmëria gjenetike me homo sapiensin qëndron diku në mbi 90%. Megjithatë, truri i njeriut mund të mos kishte arritur këtë madhësi të habitshme po të mos ishte për tiparin tonë të dytë më dallues, ecjen mbi dy këmbë, pra bipedinë.
Miliona vjet përpara shfaqjes së gjinisë homo, disa hominidë të hershëm patën idenë gjeniale të çlironin duart dhe të fillonin të ecnin drejt. Natyrisht, kjo ishte një ecuri e ngadaltë, një proces që shkencëtarët besojnë se u nxit ndoshta nga ndryshimet klimatike, pasi një klimë në ngrohje i shndërroi pyjet e Afrikës ekuatoriale në toka pyjore të thata, të quajtura mozaiku i pyllit e savanës. Me pakësimin e pemëve, paraardhësit tanë të largët filluan të ecnin drejt si një mënyrë më efikase për të lëvizur në këtë mjedis të ri.
Të paktën, kështu kemi menduar deri tani.
Tani një studim i ri nga shkencëtarë të University College London, Institutit Max Planck dhe Qendrës për Kërkime dhe Ruajtjen e Ekosistemit Mahale në Tanzani tregon se historia e bipedisë njerëzore nuk është dhe aq e qartë. Për të kuptuar më mirë se çfarë mund të ketë ndodhur gjashtë deri në shtatë milionë vjet më parë, shkencëtarët studiuan një popullatë shimpanzesh në Luginën Issa, përgjatë Liqenit Tanganyika në perëndim të Tanzanisë. Kjo zonë është ideale për të studiuar origjinën e bipedisë, pasi përbëhet nga pyje galeri dhe savanë pyjore.
Ata zbuluan se shimpanzetë shpesh adoptojnë ecjen mbi dy këmbë për të ngrënë më me efikasitet frutat në pemët e rralla të savanës. Kjo mund të ketë qenë një shtysë kyçe që çoi hominidët e lashtë drejt qëndrimit në këmbë. Rezultatet u publikuan në revistën Frontiers, dhe mbështesin gjetjet e mëparshme të ekipit nga viti 2022 që nisën për herë të parë të ndërtonin këtë teori për origjinën arboreale të bipedisë.
“Për dekada me radhë është menduar se bipedia u shfaq sepse ne zbritëm nga pemët dhe kishim nevojë të ecnim nëpër një savanë të hapur,” tha Rhianna Drummond-Clarke, autorja kryesore e studimit, në një deklaratë për shtyp. “Këtu tregojmë se navigimi i sigurt dhe efikas nëpër kurorën e pemëve mund të mbetet shumë i rëndësishëm për një majmun të madh gjysmë-arboreal, edhe në një habitat të hapur. Përshtatjet ndaj jetesës nëpër pemë, dhe jo në tokë, mund të kenë qenë çelësi në formësimin e evolucionit të hershëm të linjës njerëzore.”
Gjatë sezonit të thatë, shimpanzetë moderne largohen nga brigjet e pyllëzuara të lumenjve dhe kalojnë në mozaikun e pyllit e savanës në kërkim të ushqimit. Ekipi kërkimor vëzhgoi të rriturit e popullatës së Luginës Issa, duke shënuar se çfarë llojesh pemësh dhe frutash konsumonin në savanë, dhe zbuloi se ata kalonin më shumë kohë në pemët më të mëdha. Ata përdornin teknika të specializuara, si të qëndruarit në degë, për të arritur frutat më të lakmuara në kurorën e hapur të pemëve.
“Ne sugjerojmë që mënyra jonë e ecjes me dy këmbë ka vazhduar të zhvillohej nëpër pemë edhe pasi kaluam në habitat të hapur,” tha Drummond-Clarke. “Studimet vëzhguese të majmunëve të mëdhenj tregojnë se ata mund të ecin në tokë për disa hapa, por më së shumti përdorin bipedinë nëpër pemë. Është logjike të mendohet se edhe të afërmit tanë hominidë të hershëm kanë përdorur këtë lloj bipedie, duke u mbajtur për degët për të ruajtur ekuilibrin.”
Autorët pranojnë se teoria e tyre ka disa kufizime. Për shembull, këto përfundime vlejnë vetëm për shimpanzetë e Luginës Issa (pra duhen të dhëna më të gjera që kjo ide të zgjerohet tek gjithë speciet e shimpanzeve), dhe modelet e të ushqyerit janë analizuar vetëm gjatë sezonit të thatë. Edhe të dhënat fosile janë të paplota për kohën kur pyjet afrikane filluan të shndërroheshin në mozaiku pylli e savane. Edhe pse sot ecim mbi dy këmbë për të përshkuar botën tonë tokësore, qëndrimi ynë drejt mund të jetë në fakt një mbetje e evolucionit nga koha kur përshkonim pemët. / Popular Mechanics – Syri.net
