Njërit prej të dyshuarve në rastin e zhvatjes së mbi 1 milion eurove nga Byroja Kosovare e Sigurimeve (BSK) i është përkeqësuar gjendja shëndetësore gjatë seancës që po mbahet në Gjykatën e Prizrenit.
I dyshuari, i cili ishte para trupit gjykues së bashku me 38 persona të tjerë, ka shfaqur probleme shëndetësore gjatë seancës. Në vendngjarje ka intervenuar ekipi i emergjencës, i cili i ka ofruar ndihmën e parë, ndërsa më pas ai është transferuar me autoambulancë për trajtim të mëtejshëm mjekësor, raporton RTK.
Sipas zëdhënësit të gjykatës, Marcel Leka, gjatë seancës ka pasur dy raste të tjera ku të dyshuarit kanë kërkuar asistencë mjekësore. Për shkak të këtyre situatave, seanca është ndërprerë për disa momente dhe më pas është vazhduar.
Ndryshe, bëhet e ditur se Prokuroria Themelore në Prizren ka dorëzuar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), S.M, dhe ish-drejtorit të Departamentit të Financave dhe Kontabilitetit, V.B, si dhe F.S e Y.Ç. Kurse ndaj 35 të tjerëve ka kërkuar masën e paraqitjes në Polici.


