Shëndetësi

Njihuni me sëmundjen tropikale që po afrohet drejt veriut të Evropës

Një studim i ri ka ngritur alarmin se virusi Chikungunya, një sëmundje tropikale që shkakton dhimbje të forta të kyçeve dhe temperaturë të lartë, mund të përhapet tashmë në pjesën më të madhe të Evropës për shkak të rritjes së temperaturave.

Sipas analizës së publikuar në Journal of the Royal Society Interface, kufiri minimal i temperaturës që lejon transmetimin e virusit është më i ulët nga sa mendohej më parë. Kjo nënkupton se zona të gjera të kontinentit mund të përballen me rrezik për periudha më të gjata gjatë vitit.

Studiuesit nga UK Centre for Ecology & Hydrology theksojnë se në vende si Spanja, Italia, Portugalia dhe Greqia, infeksionet mund të ndodhin për më shumë se gjashtë muaj në vit. Edhe në Francë, Gjermani dhe Belgjikë, sezoni i rrezikut po zgjatet ndjeshëm.

Shifrat tregojnë një rritje të fortë të rasteve. Vetëm në vitin 2025, Franca raportoi mbi 800 raste, krahasuar me rreth 30 raste një dekadë më parë.

Virusi transmetohet nga mushkonja tigër aziatike, e cila po përhapet drejt veriut të Evropës si pasojë e ndryshimeve klimatike. Ekspertët paralajmërojnë se është vetëm çështje kohe para se Chikungunya të shfaqet më shpesh edhe në vendet e Evropës Veriore. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri në 40% e të prekurve mund të vuajnë nga dhimbje kronike për vite me radhë.

Të Ngjashme