Shoqata qytetare “Paqe, Harmoni, Stabilitet”, e cila prezantohet si organizatë e angazhuar për avancimin e të drejtave dhe interesave të komuniteteve etnike në Maqedoninë e Veriut, ka bërë një thirrje publike për mobilizim qytetar në mbështetje të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Në thirrjen e saj, shoqata u është drejtuar “të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, duke i ftuar që të marrin pjesë në një tubim publik që pritet të mbahet më 23 maj në qytetin e Kumanova. Aktiviteti, sipas njoftimit, organizohet me qëllim shprehjen e mbështetjes për presidentin e fqinjit verior dhe për politikat e tij aktuale.
Sipas komunikatës së shoqatës, tubimi synon të promovojë “bashkëjetesën, stabilitetin rajonal dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore”, duke e vendosur theksin te rëndësia e dialogut dhe bashkëpunimit mes komuniteteve në rajon.
Sot, marrëdhëniet shqiptaro-serbe janë një kombinim i diplomacisë së brishtë dhe përpjekjeve për normalizim, sidomos përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Megjithatë, çështje si sovraniteti i Kosovës, të drejtat e komuniteteve serbe në Kosovë dhe ndikimet politike në Maqedoninë e Veriut dhe rajon vazhdojnë të jenë burime tensioni.
Bilalli: Për fat të keq një pjesë e konsiderueshme e popullatës maqedonase zemrën e ka në Beograd
Analisti nga Maqedonia e Veriut, Mersel Bilalli, thotë se shoqëria maqedonase është e ndarë në tre pjesë: një pjesë me orientim pro-serb, një tjetër indiferente dhe një pjesë me simpati pro-bullgare. Sipas tij, kjo situatë ndikon në orientimin politik dhe gjeopolitik të vendit.
Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” kritikon edhe ndikimin e “botës serbe” në rajon, duke e lidhur atë me Kishën Ortodokse Serbe dhe politikën e Beogradit.

Mersel Bilalli
“Nuk është e lajmëruar qartë se tubimi mbahet në Kumanovë, sepse mendohet se tubimi për të hipur në autobus bëhet në Kumanovë dhe Prilep. Por diku shkruan se simpatizantët vetë e organizojnë, por sido që të jetë, për fat të keq një pjesë e konsiderueshme e popullatës maqedonase zemrën e ka në Beograd.
Një pjesë tjetër është indiferente, kurse pjesa e tretë ka simpati pro-bullgare. Këta të fundit nuk kanë urrejtje ndaj shqiptarëve, madje disa i quajnë si aleatë të tyre. Jam i mendimit se pjesa proserbe e maqedonasve preferon botën serbe, por me rënien e Orbanit, pritet rënia edhe e Vuçiqit.
Kjo do të ishte grusht i madh ndaj botës serbe që favorizohet në rend të parë nga Kisha Ortodokse Serbe, brenda së cilës ka gjithçka tjetër pos Zotit”, – përfundon ai.
Mehazi: Përkrahjen që do ia japin Vuçiqit në Kumanovë e ka simbolikën e Mitrovicës që është në kufi me Serbinë, përkrahje e Vuçiqit në Kumanovë është fillimi i sundimit territorial serb në RMV
Edhe profesori Sulejman Mehazi, në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” kritikon shoqatën “Paqe, Harmoni, Stabilitet” në RMV duke e quajtur të lidhur me interesa politike serbe dhe me ndikim të Beogradit përmes ministrit Stoilkoviq.
Ai pretendon se kjo shoqatë dhe disa zhvillime politike në RMV mund të shërbejnë për tensione etnike dhe ndikim destabilizues në vend, duke bërë krahasime me struktura politike serbe në rajon dhe duke e interpretuar tubimin për Vuçiqin në Kumanovë si politikisht të rrezikshëm për marrëdhëniet ndëretnike.

Sulejman Mehazi
“Shoqata “Paqë, Harmoni, Stabilitet”, në RMV nuk është shoqatë e pakicave, por shoqatë serbe e ministrit serb për pakicat në RMV, Stoilkoviqit, i cili me deklaratat e tij nacionaliste qartë vërehet se është mashë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, që të nxit gaca zjarri për të destabilizuar RMV-në e Mickoskit. Pra, kjo shoqatë qytetare me këtë emër është puro serbe dhe nuk ka të bëjë me pakicat tjera në këtë shtet të brishtë, nuk është për paqë dhe harmoni, por për luftë dhe dehurmanizëm, shoqatë që mund ta krahasojmë me Listën serbe në Kosovë. Ministri serb Stoilkoviqi në RMV, mund të krahasohet me kriminelin serb, Radoiçiqin në Kosovë. Serbia atë që nuk mundi ta bënte me Radojçiqin në veri të Kosovës do ta bëjë në jug të RMV-së në Kumanovë me Stoilkoviqin. Ftesa e kësaj shoqate qytetare që më 23 maj të përkrahur presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, nuk vlen për qytetarët shqiptarë, por për ata maqedonas të cilët me rrënjë, gjak janë serbë e kundër shqiptarëve. Përkrahja e Vuçiqit në Kumanovë do jetë në stilin e përkrahjes së Millosheviqit në Gazimestan.
Ky tubim do jetë madhështor, pasi 70% e qytetarëve “maqedonas” janë serbë e kundër shqiptarëve, edhe partia në pushtet VMRO është proserbe.
Deri para luftës së 2001 partia e VMRO-së në krye me ish-kryeministrin e RMV-së Lupçe Georgievskin ishte probullgare, pas luftës partinë e fuqishme të VMRO-së e morën serbët me Gruevskin dhe Mickoskin.
Përkrahjen që do ia japin Vuçiqit në Kumanovë e ka simbolikën e Mitrovicës që është në kufi me Serbinë, përkrahje e Vuçiqit në Kumanovë është fillimi i sundimit territorial serb në RMV. Me një fjalë përkrahja e presidentit serb më shumë dëmton maqedonasit sesa shqiprarët, përkrahje për ta bërë përsëri RMV-në “Srpska Banovina”, u shpreh ai për “Bota sot”.
Sipas këtij qëndrimi të Mehazit, Serbia dhe Vuçiqi synojnë ndikim politik në RMV përmes përkrahësve lokalë, duke e parë këtë si rrezik për stabilitetin e vendit dhe mundësi për ndarje etnike ose territoriale.
Ai thotë se thirrjet për “paqe dhe stabilitet” janë të drejtuara kryesisht për serbët, ndërsa për të tjerët mund të kenë efekt përçarës dhe destabilizues në RMV.
“Qëllimi politik i Vuçiqit me Stoilkoviqin në RMV është që Serbisë t’i bashkohet territori i banuar me serbë në Kumanovë.
RMV-në e shpërbën vetëm Serbia, pasi verimaqedonasit një fjalë armiqësore nuk shprehin për “brat Vuçiqin”, për makedonçet armiq janë shqiptarët, bullgarët, grekët e kurrsesi vëllezërit e tyre serbë.
Thirrja publike për të mbështetur e përkrahur Vuçiqi për “paqë harmoni e stabilitet” vlen për serbët, gjersa për popujt tjerë është jo paqë, por luftë, jo harmoni, por deharmoni, jo stabilitet, por destabilitet.
Kjo thirrje është në dëm të maqedonasve, kurrsesi në dëm të shqiptarëve, qytetarët shqiptarë me dekada presin që ky shtet të zhbëhet e këtë zhbërje të RMV-së mund ta bëjë vetëm Serbia e Vuçiqit me ndihmën e serbo-maqedonasve që janë me shumicë në këtë shtet”, – përmbylli ai për gazetën.
