Noam Bettan do të përfaqësojë Izraelin në edicionin e 70-të të Festivalit të Këngës në Eurovision, i cili do të mbahet këtë maj në Vjenë.
Ai siguroi të drejtën e përfaqësimit pasi fitoi konkursin muzikor “HaKokhav HaBa”. Bettan e ka nisur karrierën e tij muzikore gjatë shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), ndërsa u bë i njohur për publikun vendas në vitin 2018, kur zuri vendin e tretë në konkursin “Aviv”.
Në vitin 2024, artisti publikoi këngën “Pokeach Einayim”, tekstin e së cilës e shkroi komandanti i IDF-së, Yaron Oree Shay, i cili u vra në një sulm të Hamasit më 7 tetor 2023.
Pas fitores, Bettan u shpreh shumë krenar dhe falënderoi audiencën për mbështetjen, duke theksuar se rrugëtimi i tij ka qenë i mbushur me sfida dhe ulje-ngritje.
“Mesazhi im për Evropën është të përgatitet. Do të sjellim një këngë lavdërimi, do të sjellim gjithçka që kemi. Do të sjellim dritë dhe dashuri dhe do të bashkohemi”, deklaroi ai.
Ndërkohë, si shenjë proteste ndaj lejimit të Izraelit për të konkurruar, Islanda, Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Spanja janë tërhequr nga Festivali i Këngës në Eurovision.
Gjysmëfinalja e parë e konkursit do të mbahet më 12 maj në Wiener Stadthalle, ndërsa gjysmëfinalja e dytë është planifikuar për 14 maj. Finalja e madhe do të zhvillohet më 16 maj.
