Dy deputetët demokratë Flamur Noka dhe Luçiano Boçi kanë qenë dy ditë më parë në Janinën, më 27 shkurt, ku janë takuar me homologun e tyre grek, deputetin dhe ish-ministrin Takis Theodorikakos. Dy deputetët shqiptarë e kanë trajtuar takimin si “miqësor” por pa dhënë detaje.
“Takim miqësor sot me Kryetarin e Komisionit të Sigurisë në Parlamentin Helen Takis Theodhorikakos, deputet i Nea Dimokratia-s, për të folur për të djathtën, marrëdhëniet e ndërsjella dhe rolin e rëndësishëm të emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe votën e tyre në Shqipëri”, shkruan Luçiano Boçi.
Mirëpo, ndryshe nga ata, deputeti grek ka zbuluar dhe një pikë tjetër të rëndësishme për të cilën kanë biseduar në Janinë.
Takis Theodorikakos ka publikuar fotografi me Flamur Nokën e Luçiano Boçin dhe thotë se ka biseduar me dy kolegët demokratë për mbajtjen në paraburgim të kryebashkiakut të zgjedhur por të pabetuar të Himarës, Fredi Beleri. Sipas deputetit grek, ndalimi i Belerit duhet të marrë fund.
“Në Janinën mikpritëse takova sot miqtë e mi Luçiano Boçi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Flamur Noka, ish-ministër i Brendshëm, deputet dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike. Diskutuam dhe shkëmbyem mendime për shumë çështje interesante dhe sigurisht për nevojën për t’i dhënë fund ndalimit të bashkatdhetarit tonë, kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Beleris”, thuhet në postimin e deputetit grek, Takis Theodorikakos.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njohur si SPAK, ka dhënë pretencën dy javë më parë për kryetarin e zgjedhur për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri duke kërkuar dënimin me 2 vite e 6 muaj burg për të.
Sakaq, pretenca është dhënë edhe për bashkëpunëtorin dhe mikun e Belerit, Pandeli Kokaveshin për të cilin Prokuroria ka kërkuar 2 vite burg, të cilit ti konvertohet në 4 vite shërbim prove. Kjo masë për Kokaveshin u dha pasi ai ka probleme shëndetësore, si dhe fëmija i tij i mitur ka probleme shëndetësore.
Gjyqi është caktaur të mbahet më datën 5 Mars 2024 dhe pritet që Gjykata e Posaçme të japë vendimin e dënimit, apo të lirojë kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës.
© Newsbomb.al
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo