Lajme

Normalizohet qarkullimi në kufirin Kosovë–Shqipëri pas kolonave të gjata në mëngjes

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka njoftuar se në orët e hershme të mëngjesit janë krijuar kolona të gjata automjetesh në dalje të Republikës së Kosovës, në drejtim të Shqipërisë.

Sipas njoftimit, nga ora 04:00 e në vazhdim, kolonat kanë arritur deri në rreth 3.5 kilometra.

QKMK bëri të ditur se pritjet janë shkaktuar pasi autoritetet shqiptare janë duke regjistruar hyrjen e qytetarëve në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Pas njoftimit për krijimin e kolonave kilometërshe për të hyrë në Shqipëri, Qendra për Menaxhim Kufitar ka lëshuar një njoftim të dytë, duke treguar se tashmë qarkullimi është normalizuar.

“Ju njoftojmë se është normalizuar qarkullimi në hyrje të R. Shqipërisë. Ju falënderojmë për mirëkuptim!”, ka njoftuar Qendra për Menaxhim Kufitar e Kosovës./teve1.info/

Të Ngjashme