LifeStyle

Nuk është kaq e thjeshtë të shpëtosh: Ja 6 fazat e prapavijës së Mërkurit

Yjet janë në kaos momentalisht, ndaj mos u habit nëse jeta jote është lëmsh. Sezoni i Dashit na ka karikuar mirë dhe na ka vënë në aksion, por eklipsi i fundit, duket sikur e ka kthyer jetën e secilit mbrapsht.

Mërkuri në prapavijë do të hyjë sot, pra në 1 prill dhe del në 25 prill. Shenjat që do e ndjejnë më shumë ndikimin janë Dashi, Gaforrja, Peshorja dhe Bricjapi. Nga ana tjetër, për Luanin dhe Shigjetarin ndikimi do jetë më i vakët.

Siç e dini, Merkuri ndikon në teknologji, nga problemet me pajisjet elektronike, te makinat, apo mesazhet e dërguara gabim. Njerëz dhe projekte nga e shkuara rikthehen dhe kjo periudhë i dedikohet rishikimit të vendimeve dhe futjes së risive në jetë.

Por pavarësisht gjithë problemeve që hap, Mërkuri është planeti i dijes, informimit dhe dërgues i mesazheve të rëndësishme për jetën. Në këtë linjë dedikuar informacioneve, do ju njohim me gjithë fazat e ciklit të prapavijës.

Hija e para-prapavijës

E njohur gjithashtu si “prapa-hija”, kjo fazë ndodh kur Mërkuri lëviz disa gradë në qiell, duke paralajmëruar prapavijën, e cila fillon ngadalë. Kjo fazë e parë sjell shumë pasiguri në ajër dhe është zakonisht më intensive dhe konfuzuese sesa prapavija e vërtetë. Këshillohet të bësh kujdes me njerëzit, temat dhe detyrat që ke në duar.

Mërkuri i vendosur në prapavijë

Kjo është faza e dytë dhe përkon me vendosjen e Mërkurit në prapavijë, kur lëvizja ka qëndruar në kordinatat përkatëse. Zakonisht kjo fazë është tepër dramatike dhe emocioni ndihet në ajër.

Mërkuri në prapavijë

Ky është edhe momenti i famshëm që të gjithë të interesuarit pas astrologjisë e njohin. Zgjat 3 javë e gjysmë dhe kjo fazë është momenti që nisin problemet e mëdha, nga komunikimi, te udhëtimet që vonohen dhe rikthimi i njerëzve nga e shkuara. Jeta duket e ngadaltë dhe e çrregullt.

Prapavija e Mërkurit në ndërthurje me Diellin

Ky është një moment i rëndësishëm që ndodh rreth mesit të prapavijës, duke bërë që Mërkuri dhe Dielli të ndërthuren. Kur Mërkuri merr nga rrezet e Diellit rifreskohet dhe i shtohet energjia, ndaj ky moment shihet si shpresëdhënës në udhëtimin e prapavijës. Besohet se kjo është faza që sjell qartësi dhe zbulon të pathënat.

Mërkuri rikthehet në pozicionin e tij

Në këtë fazë Mërkuri duket sikur ndalon lëvizjen dhe në këtë moment mund të marrësh frymë lirisht e të nisësh të shohësh ç’ndodhi rreth teje këto javë.

Hija pas prapavijës

E fundit fazë e ciklit të Mërkurit në prapavijë e vë planetin në lëvizje të ngadaltë përpara. Kjo fazë ndihet si ato ditët kur je me shoqen në kafe pas një mbrëmjeje kur ke pirë pafund. Të dyja jeni duke kujtuar dhe diskutuar çfarë vendimesh keni marrë natën para, por keni kafe para dhe ajo do t’ju ndihmojë të vazhdoni me ditën tuaj.