Kanye West publikoi një letër si reklamë me faqe të plotë në Wall Street Journal, ku kërkoi falje ndaj komuniteteve të njerëzve me ngjyrë dhe hebrenjve, pas shumë viteve gjatë të cilave ka përdorur gjuhë urrejtjeje ndaj tyre.
“Jam shkëputur nga bota e vërtetë. Gjërat u përkeqësuan edhe më shumë kur zgjodha të injoroja problemin. Kam thënë dhe bërë gjëra për të cilat pendohem. Disa nga njerëzit që dua më shumë, i kam trajtuar më keq,” shkroi ai në reklamën për Wall Street Journal.
“Ju duruat frikën, dyshimin, turpin dhe lodhjen duke u përpjekur të ishit pranë dikujt që ndonjëherë thuajse nuk njihej. Teksa shihja pas, u largova nga vetja ime e vërtetë,” shtoi reperi.
“Në atë gjendje, shkova drejt simbolit të nazizmit dhe madje shita edhe bluza me të.”
Kanye West është diagnostikuar me çrregullim bipolar dhe tha se sëmundja kishte ndikuar në gjykimin e tij duke e bërë më të dobët dhe duke shkaktuar sjellje të pamatura. E gjitha kjo u përshkrua prej tij si një përvojë që ndihej sikur jetohej jashtë trupit të tij.
“Pendohem dhe ndihem shumë i turpëruar nga veprimet e mia në atë gjendje dhe tani i jam nënshtruar trajtimit për të arritur një ndryshim kuptimplotë.”
Ai shtoi: “Kjo nuk e justifikon atë që bëra. Nuk jam nazist dhe nuk kam asnjë urrejtje kundër hebrenjve. I dua hebrenjtë!”
Më pas iu drejtua komunitetit të njerëzve me ngjyrë duke thënë se ishin ata që e shoqëruan gjatë momenteve më të lumtura, por edhe më të vështira.
“Komuniteti i njerëzve me ngjyrë është themeli i asaj që unë jam. Më vjen keq që ju kam zhgënjyer! E dua komunitetin tonë! Fjalët e mia si drejtues i komunitetit prej të cilit vij kanë ndikim në mbarë botën. Në çmendurinë time e humba kuptimin e gjithë kësaj.”
Ndër të tjera shtoi se nuk po kërkon pëlqim, por dëshiron që njerëzit ta falin.
“Ju shkruaj sot thjesht për të kërkuar durimin dhe mirëkuptimin tuaj teksa unë gjej rrugën për t’u rikthyer.”
Në letrën e tij ai shkroi se nuk ishte përcaktuar një diagnozë e saktë deri në vitin 2023, më shumë se dy dekada pasi ai pësoi një dëmtim të trurit në një aksident me makinë. Vonesa në diagnostikim sipas tij shkaktoi dëme serioze në shëndetin e tij mendor.
“Gjëja më frikësuese për këtë çrregullim është sa shumë bindesh kur të thonë: ‘Nuk ke nevojë për ndihmë.’ Të bën të verbër, por të mendosh se kupton gjithçka. Ndihesh i fuqishëm, i sigurt dhe i pakapshëm,” tha ai.
