Shëndetësi

Nuk ka rëndësi se çfarë lloji proteine zgjidhni për palestër, ‘muskujt rriten njësoj’

Nëse po përpiqeni të ndërtoni masë muskulore, nuk ka rëndësi nëse konsumoni proteina bimore apo shtazore, sipas një studimi të ri nga Universiteti i Illinois, që sfidon një nga mitet më të zakonshme në botën e fitnesit.

Studiuesit zbuluan se proteinat bimore janë po aq efektive sa ato shtazore në nxitjen e sintezës së proteinave muskulore pas stërvitjes.

Ky përfundim vjen pas një eksperimenti të mbikëqyrur me 40 të rritur të shëndetshëm dhe aktivë fizikisht, të cilët ndoqën dieta të kontrolluara me bazë vegane ose mish, për disa javë, ndërsa kryenin ushtrime të rregullta për forcimin e muskujve.

Sipas profesorit Nicholas Burd, i cili drejtoi studimin, ky rezultat sfidon bindjen e kahershme se vetëm proteinat shtazore janë të përshtatshme për ndërtimin e muskujve.

“Për sa kohë që merrni sasinë e duhur të proteinave cilësore, lloj i saj nuk ka rëndësi”, tha ai.

Studimi po ashtu tregoi se shpërndarja e proteinave gjatë ditës, në tre ose pesë vakte, nuk ndikoi në përshpejtimin e ndërtimit të masës muskulore.

Këto zbulime hapin rrugë të reja për ata që zgjedhin dietën vegane për arsye shëndetësore, etike apo mjedisore, pa u shqetësuar për humbjen e rezultateve në palestrën e fitnesit. Syri.net-CNN.gr.

Të Ngjashme