Lajme

“Nuk po kursehet askush”, gazetari reagon për atentatin në Shkodër: Ja mesazhi i qartë që japin bandat kundërshtarëve

Gazetari Elkier Bushkolaj ka folur për ngjarjen e ndodhur në qytetin e Shkodrës, ku mbetën të vrarë dy persona.

Bushkolaj e ka konsideruar Shkodrën si një vend që ka pasur gjithmonë probleme me krimin dhe tashmë bandat janë ato që po mundohen të mbjellin terror në këtë qytet duke mos u trembur as nga shteti.

Bushkolaj u shpreh gjithashtu se SPAK duhet të reagojë menjëherë për situatën në të cilën ndodhet Prokuroria e Shkodrës, e cila sipas tij tashmë ka dështuar. Ai shton gjithashtu se në një hark kohor të pak muajve kemi viktima të pafajshme, dhe thekson se këtu nuk po kursehet më askush.

“Mesazhi është për të mbjellë terror, pasi ka mënyrë e mënyra për të bërë vrasje dhe për të realizuar vrasje. Është krejt e qartë që është një mesazh për të terrorizuar këtë qytet, është një mesazh për ti treguar kundërshtarëve që zot këtij të këtij qyteti jemi ne dhe për fat të keq në të gjith këtë pazëll më mungojnë vetëm autoritetet ligjzbatuese që nuk janë askund në Shkodër.

Nuk besoj që kjo ngjarje do t’i qëndrojë Prokurorisë së Shkodrës sepse ka dështuar. Këtë ngjarje e lidh pashmangshmërisht me ato vrasje në qytetet dhe SPAK duhet të kthejë urgjentisht sytë nga Shkodra, sepse ka pasur një tezë që muajt e fundit ka rënë numri i vrasjeve sepse eksponentët e krimit kanë shkuar në Dubai.

Jo! As numri i vrasjeve s’ka rënë si bilanc, sepse për fat të keq bilanci mbetet të jetë tragjik. Ajo çfarë është më e rëndë është ajo e viktimave të pafajshme në gjithë këtë histori. Zonja është një viktimë e pafajshme. Në një hark kohor të pak muajve kemi disa viktima të pafajshme, këtu nuk po kursehet më askush. Ky është ai pushteti që krimi ka duke diktuar drejtues në polici, duke diktuar deputet në lista…

Për fat të keq vetëm një mëndje e sëmurë mund ta linte Shkodrën në mëshirë të krimit. Është një qytet që ka pasur historikisht probleme me krimin por ka pasur edhe luftë kundër krimit, bandat e kanë pasur frikë autoritetin e shtetit, tani është krejt e kundërta. Tani janë shumë pak efektivë policie…”, tha gazetari për “Syri Tv”.