Lajme

Numri i viktimave në Gazë kalon shifrën prej 20.000

Lufta e Izraelit për të shkatërruar Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Britania – ka vrarë mbi 20.000 palestinezë, thanë zyrtarët shëndetësorë në Gazë, përderisa Izraeli ka zgjeruar ofensivën e tij dhe ka urdhëruar edhe dhjetëra mijëra persona të largohen nga shtëpitë e tyre.

Vdekjet në Gazë paraqesin pothuajse 1 për qind të popullsisë së territorit para se të niste lufta 11 javë më parë.

Fushata ajrore dhe tokësore e Izraelit ka qenë një prej fushatave ushtarake më shkatërruese në historinë moderne, duke zhvendosur pothuajse 85 për qind të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës dhe duke rrafshuar pjesë të mëdha të enklavës. Pothuajse gjysmë milion persona në Gazë – çereku i popullsisë – janë duke u përballur me uri, sipas të dhënave të prezantuara më herët gjatë javës nga Kombet e Bashkuara dhe agjenci të tjera.

Një pamje e rrënojave të ndërtesave të goditura nga bombardimet izraelite në Xhabalia, Rripi i Gazës, 11 tetor 2023.

Izraeli shpalli luftë ndaj grupit radikal të Hamasit, pasi luftëtarët e tij sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke marrë peng 240 të tjerë. Izraeli është zotuar se do të vazhdojë luftën derisa Hamasi të shkatërrohet e të rrëzohet nga pushteti në Gazë si dhe të lirohen të gjitha pengjet.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se ka dokumentuar 20.057 vdekje në luftime dhe mbi 50.000 të plagosur. Kjo ministri nuk bën dallimin midis civilëve dhe luftëtarëve të vrarë. Paraprakisht, zyrtarët shëndetësorë kishin thënë se dy e treta e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

Izraeli fajëson Hamasin për numrin e lartë të civilëve të vrarë, duke thënë se grupi operon në zonat e banuara.

Ushtria izraelite ka thënë se 139 ushtarë të saj janë vrarë gjatë ofensivës tokësore. Ajo ka thënë se ka vrarë mijëra luftëtarë të Hamasit, përfshirë edhe rreth 2.000 në tri javët e fundit, por nuk ka paraqitur asnjë dëshmi për këto pretendime.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo