Lajme

Nushi: Ndryshimi i vetëm përmbajtësor në këto zgjedhje është futja e PSD-së në Kuvend

Kandidati për deputet i Partisë Socialdemokrate (PSD), Nol Nushi, ka deklaruar se ndryshimi i vetëm përmbajtësor që mund të sjellin zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit është futja e PSD-së në Kuvendin e Kosovës.

Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Nushi u ka bërë thirrje qytetarëve që ta mbështesin PSD-në, duke theksuar se vota për këtë subjekt politik është “votë e sigurt” dhe jo “votë e djegur”.

“Unë besoj që i vetmi ndryshim përmbajtësor në këto zgjedhje është futja e PSD-së në Kuvend. Iu bëj apel qytetarëve që me e djeg votën është me e votu këtë opozitë, jo me na votu ne. Me e votu PSD-në është votë e sigurt për djem e vajza që angazhohen çdo ditë me vetëmohim përballë një pushteti që dëshiron të djegë gjithçka”, ka deklaruar Nushi.

Ai ka kritikuar gjithashtu partitë opozitare, duke thënë se ato përfaqësohen nga persona që, sipas tij, nuk e kanë politikën si vokacion.

“Me e votu këtë opozitë është me i votu disa politikanë, biznesmenë e tiktokerë, të cilët nuk e kanë vokacion politikën, por e kanë thjesht një trashëgimi të anëtarësisë së këtyre partive të vjetra. Ata e kanë si hobi të jenë deputetë për dhjetë mandate dhe të mos mbahen mend për asgjë”, është shprehur Nushi.

Të Ngjashme