Fotoreportazh nga promovimi i librit të Prof.dr.Nusret Pllana. “Autori i këtij libri ka qenë edhe vetë aktor në Luftën Çlirimtare, madje në një dimension dhe rol jashtëzakonisht të rëndësishëm të saj, të cilat kulmuan me çlirimin e Kosovës. Pikërisht për këtë fakt, pra për faktin e autorit-protagonist, ky libër mund të themi se nuk është i zakonshëm, duke qenë se bartë me vete edhe gjendjen emocionale, empatinë psikologjike e shpirtërore, tundimin dhe ndërgjegjen e tij”, tha ndër të tjera, Dr.Sali Sefa.
E shtuna e 23 marsit në Cyrih të Zvicrës ishte ditë shiu e me fjolla të buta bore, por, për bashkatdhetarët tanë nuk ishte pengesë, që të mos shkojnë me nderu punën e madhe të Prof.Pllanës. As agjërimi nuk i pengoi edhe pse disa agjërues duke ardhur në promovim kanë bërë iftarin. Mërgata shqiptare ishte e shpërndarë nëpër disa aktivitete, që ishim të njoftuar dhe që kishim edhe ftesa, jo se nuk ishin të rëndësishme ato, kur e dijmë se organizohen nga mërgimtarët tanë, por vendosëm të shkëpusim kohë jete në një ngjarje tjetër, në një ngjarje që do të mbetet e gravuar brez pas brezi. Ngjarje e mbështjellur me shumë emocione dhimbjeje dhe në fund krenarie.
Nga katër anët e Zvicrës, ishin drejtuar bashkatdhetarë për në Cyrih, veprimtarë të dëshmuar të kauzës sonë kombëtare, për ta takuar Prof.dr.Nusret Pllanën dhe për ta dëgjuar kur flet me zërin e tij të dashur për të gjithë. Ditë më parë për këtë ngjarje u njoftuam edhe përmes disa mediave, se do të organizohet promovim libri nën patronatin e shefit të misionit konsular në Konsulatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha edhe ate nga ora 20.00 në Konsulatën e Republikës së Kosovës, në shenjë kujtimi të 25-vjetorit të intervenimit të NATO-s në Kosovë, manifestim i vetëm në Zvicër dhe në shenjë respekti e falënderimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, do të promovohet libri i Prof.dr. Nusret Pllanës, „INTERVENIMI I NATO-S NË KOSOVË“,“NATO intervention in Kosova” dhe filmi dokumentar „Gjenocidi serb mbi shqiptarët 1844-1999“ të autorëve Nusret Pllana dhe Esat Shala dhe libri i xhepit të autorëve Nuret Pllana dhe Agim Aliçkaj, Vergiss Niemals-Mos harro kurrë!
Para se të përshkruaj përmes pak fjalëve ecurinë e promovimit, nuk mundem ta anashkaloj edhe realitetin tjetër, se është shefi i misionit konsular në Konsulatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, që prej ditës së parë ka filluar të punojë pa u ndalur, orë pas ore, ditë pas dite në mesin e komunitetit tonë, por edhe duke pritur veprimtarë e bashkatdhetarë të shumtë në konsulatën e Kosovës në Cyrih. Kjo është për të vlerësuar lart dhe në fakt po vlerësohet. Sepse me të gjithë veprimtarët që e kanë vizituar është bërë publike dhe ka dëgjuar hallet e dëshirat e tyre drejtpërdrejt.
Një punë shumë e madhe dhe e veçantë. Z.Berisha, ka takuar e po takon edhe diplomatë të huaj që jetojnë në Zvicër. Krejt ajo çka dua të them është, se i gjithë stafi i tij, duke u nisur nga Konsulja, zonja Arieta Gallapeni, zv. Avni Zejnullahu, Driton Tahiri, Betim Qorraj, shpesh ju bie që nga e hëna në të hëne të jenë në punë. Respekte për të gjithë. E shtuna e diela, si zakonisht nëpër gjithë diasporën ka aktivitete të mërgatës sonë, por Cyrihu është qendër thuajse e manifestimeve dhe në ato takime konsulata merr ftesa të shumta për t`i nderuar.
Kështu ndodhi edhe këtë të shtune. Para konsulatës valonte flamuri i shtetit të Kosovës dhe shumë prej bashkatdhetarëve bënin edhe foto kujtimi në një datë të rëndësishme.
Shpesh përmendej, se nëpër promovime librash nuk ka të interesuar sa do të duhej, por kësaj here, njëra nga sallat modeste e konsulatës ishte përplot e përplot. Në korridor ishin librat e Profesor Pllanës, ato që kishte mundur t`i sillte dhe shumë prej veprimtarëve bënin foto para fillimit të promovimit.
Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar në ballë të konakut të kësaj ngjarjeje ishte, Z.Vigan Berisha, shef i konsullatës së Kosovës në Cyrih, znj.Arieta Gallapeni, konsule, z.Sali Sefa ish konsul dhe Prof.dr.Nusret Pllana. Të pranishëm ishin edhe Dr. Sali Sefa , PhD.Dashnim Hebibi, Prof.Dr. Fadil Çitaku, z.Riza Demaj, Esat Halilaj, Shefqet Cakolli, Qemal Musliu, Rafet Ademi, Agron Hoti, Florim Useini, Visar Robelli, Agim Pepaj, e shumë të tjerë.
Hapjen e promovimit e bëri z.Vigan Berisha, shef i konsulatës së Republikës së Kosovës, duke e përshëndetur përzemërsisht musafirin, veprimtarin, ish luftëtarin, ish të burgosurin, gazetarin, shkrimtarin, publicistin, profesorin universitar, Prof.dr.Nusret Pllana.
Ai pasi përshëndeti musafirin dhe të pranishmit ndër të tjera tha: “Më kujtohet sikur sot edhe pse isha shumë i ri në atë kohë, zëri i Profesor Pllanës: “Ju flet Kosova e lirë! Ishte zëri fitues, zëri i shpresës, zëri më i ëmbël i fitores, se Kosova jonë është e lirë. Të dashur bashkëkombës, kujtojmë e do ti kujtojmë për jetë dëshmorët, invalidët e luftës dhe veteranët si dhe të gjithë veprimtarët kudo që janë edhe juve mërgatë e nderuar, sepse të mos ishim të gjithë bashkë dhe me ndihmën e SHBA-së dhe NATO-s, do të ishte shumë më e vështirë liria.
Profesor Nusret Pllana, hiq më pak se për 24 vjet ka angazhim maksimal, për t’ ia dëshmuar botës përparimtare e demokratike gjenocidin mbi shqiptarët. Nusret Pllana, është në mesin tonë në një natë të veçantë në shenjë kujtimi të 25-vjetorit të intervenimit të NATO-s në Kosovë dhe në shenjë respekti e falënderimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s. Natyrisht se dua të them edhe shumë fjalë, por duke e ditur, se të gjithë dëshironi të thoni ndonjë fjalë, fjalën menjëherë ia kaloi mikut tonë, ish konsulit të Republikës së Kosovës në Cyrih, Dr.Sali Sefa.
Sali Sefa me të marrën fjalën tha:
“Të nderuar te pranishëm! Në fillim desha me pak fjalë ta përshkruaj një idealist, pjesëmarrës direkt i pranverës studentore e gjithë popullore të vitit 1981, ish i burgosur politik në momentet më të vështira te kohës, një pjesëtarë i ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës, zëdhënës për informim dhe folësi kryesor i Radio stacionit: “Ju flet Kosova e lirë!” Fjala është për autorin e disa librave të botuara, autorin e disa filmave dokumentar të luftës, iniciatorin e ngritjes së një mauzoleu për 1432 fëmijë të vrarë, autorin për grumbullimin e fakteve të krimeve e masakrave mbi popullatën civile në Kosovë te kryera nga ushtria dhe paramilitarët serb para dhe gjatë luftës, në mënyrë që të ndihmoj në përgatitjen e një Aktakuze Serbisë, për gjenocidin e kryer mbi Shqiptarët në Kosovë. Sot, këtu me në bashkë është profesori i nderuar i UP z. Nusret Pllana që e përshëndesim! Sot, jam këtu me ju për te thënë opinionet e mia në promovimin e një vepre të jashtëzakonshme, poashtu të një autori të jashtëzakonshme! Intervenimi i NATO-s në Kosovë është një kapitull i lavdishëm historie të kombit tonë, ngjarje të cilat i kemi përjetuar të gjithë ne, të cilat, deshëm apo nuk deshëm, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në profilin tonë psikologjik e njerëzorë! Për më tepër kur dijmë se autori Pllana është i njohur me botime rrënqethëse dokumentare, faktografike e fotografike, që pasqyrojnë, masakrat shekullore që Serbia fashiste ka bërë ndaj shqiptarëve. Autori, me një stil mbresëlënës, fillon me përshkrimin dhe ndërtimin e një konteksti shumë të gjerë, krejt në funksion të asaj teme bosht i këtij studimi, e që është intervenimi i NATO-s në Kosovë për 73 ditë rresht! Shikuar nga prizmi i një vlerësuesi objektiv, rëndësia e këtij libri që po e promovojmë sot del të jetë i jashtëzakonshëm siç e thamë në fillim, për shumë arsye se: Autori i këtij libri ka qenë edhe vetë aktor në Luftën Çlirimtare, madje në një dimension dhe rol jashtëzakonisht të rëndësishëm të saj, të cilat kulmuan me çlirimin e Kosovës. Pikërisht për këtë fakt, pra për faktin e autorit-protagonist, ky libër mund të themi se nuk është i zakonshëm, duke qenë se bartë me vete edhe gjendjen emocionale, empatinë psikologjike e shpirtërore, tundimin dhe ndërgjegjen e tij.
Ky është privilegj për autorin -protagonist por, një privilegj i tillë sikur është rasti i Nusret Pllanës, bash këtu te ky privilegj shpeshherë qëndron edhe rreziku që, autorin mund përcjell e të rrëshqasë në ndonjë subjektivizëm, megjithatë duke e njohur përmasën tragjike të rrugëtimit tonë historik, duke e ditur së vet autori është dëshmitar i gjallë që me kamerën e tij dhe të Martin Çunit faktuan skemat më te tmerrshme të kryer nga regjimi serb në popullatën civile, fëmijë gra e pleq ruajti subjektin, është i mirë kuptueshëm dhe nuk e zbehë vlerën autentike të këtij studimi.
Për në fund i nderuar Nusret Pllana, promovimi i librit tuaj në këtë objekt në shtetin Helvetik e që është pronë e shtetit të Republikës së Kosovës është nderë i dyanshëm”. Pas z.Sali Sefa, fjala iu dha, PhD.Dashnim Hebibi i cili përmes disa fjalëve foli për 24 marsin, librat e profesorit dhe për punën e shenjtë siç theksoi ai të Nusret Pllanës. Po shkëpusim disa fjalë të z.Hebibi: “
“Është bërë një studim cilësor, që edhe profesor, Pllana mbrojti tezën e doktoraturës me këtë temë që e ka titull libri. Lirisht mundem t`ju them edhe atë me shumë fakte, se Profesor Pllana ka lënë një studim të veçantë jo vetëm për gjeneratë e gjenerata të kombit tonë por edhe për botën demokratike, ku padyshim do të përdoren referenca për të ardhmen. 24 marsi është ditë e shpëtimit kombëtar për popullin shqiptar të Kosovës, por edhe si shkëndijë për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Titull i libri që po e promovojmë sonte“ INTERVENIMI I NATO-S NË KOSOVË“, është shkruar në vitin 2010 me redaktor: Prof.dr.Emin KABASHI, Redaktor gjuhësor Prof. Sanije KELMENDI dhe Recensues Prof.dr.Hajredin KUÇI si dhe Prof.dr.Etem AZIRI.
Profesor Pllana në faqen 5 apo fjalën e parë të librit shkruan: Të gjithë Dëshmorëve të Kombit, që ranë për lirinë tonë, që hapen proceset e mëdha historike për zgjidhjen e çështjes shqiptare, që mundësuan krijimin e kombit modern shqiptar, ua kushtoj këtë vepër! Studimi “Intervenimi i NATO-s në Kosovë” merret me një luftë të mirëfilltë, të cilën e ka filluar dhe e ka zhvilluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në mars të vitit 1999, i erdhi në ndihmë Aleanca e Atlantikut të Veriut me ndërhyrjet ajrore. Shqyrtimi i materialeve ka filluar që nga konferencat ndërkombëtare për çështjen shqiptare, që nga Kongresi i Berlinit, i cili copëtoi tokat shqiptare, deri te Konferenca e Rambujesë, që ishte konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën, në të cilën filloi të zgjidhet problemi i Kosovës, në historinë njëshekullore të pushtimit të saj. Me këtë ndërhyrje NATO-ja po fillonte një mision të ri në kuadër të ekzistencës së vet pesëdhjetëvjeçare, duke krijuar një moral të ri botëror, në të cilin diktaturat fashiste luftohen edhe me armë. Prof.Pllana një jetë ia kushtoi çështjes kombëtare ku ka lënë gjurmë të pashlyera për gjeneratë e gjenerate që do të vijnë.
Libri është i ndarë në 6 kapituj me 401 faqe, me mbi 60 burime nga literature kryesore si dhe me literature ndihmëse 44, pastaj me burime të tjera 22. Puna jote me fakte, do ti shërbej gjeneratave tona që do të vijnë edhe atë brez pas brezi, sepse çdo faqe e librit është një jetë, çdo shkronjë është një dhimbje dhe çdo shenjë e pikësimit është një tik tak i zemrës tënde.
Të uroj shëndet, jetë të gjatë fizikisht, sepse jetëgjatësia jote do të jetoj përjetësisht”. Fjalën e morën edhe Prof.dr.Fadil Çitaku i cili foli për librin e xhepit “Mos harro kurrë – Vergiss Niemals” ( gjermanisht – shqip) të autorëve Nuret Pllana dhe Agim Aliçkaj, libër të cilin e kishin përkthyer nga shqipja në gjermanisht me vajzën e tij. Pastaj fjaën përshëndetëse e morën edhe vepritmarë të tjerë, si Qemal Musliu, Riza Demaj. Në vazhdim u shfaqë edhe filmi i shkurtër dokumentar „Gjenocidi serb mbi shqiptarët 1844-1999“ të autorëve Nusret Pllana dhe Esat Shala. Krejt në fund u interpretua edhe një këngë me lahutë. Fjalën e mori edhe autori Nusret Pllana, pasi përshëndeti dhe falënderoi edhe konsulin, stafin dhe të gjithë të pranishmit ai shtoi:” 1432 fëmijë të vrarë janë në librin tim me emra e mbiemra. Si duket na ka mundur virusi i bajraktarizmit. Harresa është defekti jonë. Pse po harrojmë se çka përjetuam? Të mos e harrojmë gjakun e dëshmorëve. Ti nderojmë edhe më shumë invalidët e veteranët e luftës. Faleminderit NATO! Faleminderit Amerikë! Faleminderit UÇK! Vitet po ecin dhe ne nuk kemi ende një obelisk në nderim të 1432 fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Harresa, bajraktarët dhe servilët nuk na duhen. E dini se sa të vrarë kemi. Sa të masakruar. Sa nëna, pleq, gra shtatëzona, fëmijë, këto nuk duhet harruar. Zoti do na malloj nëse i harrojmë dëshmorët. Të ruajmë dhe ta forcojmë edhe ma shumë miqësinë me SHBA-në. Kontributi i diasporës natyrisht se ishte i madh për çlirimin e Kosovës. Ju jeni pjesa më e ndritshme e shoqërisë sonë”. Z.Vigan Berisha, shef i konsulatës së Kosovës në Cyrih, falënderoi autorin dhe të gjithë të pranishmit që kishin nderuar këtë ngjarje të rëndësishme, duke ia kujtuar të gjithë mërgimtarëve, se konsulata është me dyer të hapura dhe do të jemi afër jush në çdo situatë që mendoni se duhet të jemi. Më erdhi mirë, që salla ishte përplot e mbushur. Shihemi në ngjarje të tjera gëzimi. Aty në orën 22.00 u shtrua edhe një koktej nga konsulata dhe patën mundësi të pranishmit t`i mernin edhe ato libra që ishin me nënshkrim nga autori dhe të kenë edhe foto kujtimi. Prej Cyrihut, Prof.dr.Nusret Pllana u drejtua edhe në Shtutgart që ta promovoj librin në mesin e mërgatës sonë. Për fund të këtij reportazhi të gjatë, por të shkruar për ata që lexojnë, më duhet përmendur, se edhe pse libri i Profesor Pllanës ka parë dritën në vitin 2010, ai është aktual dhe do të jetë aktual përgjithmonë, brez pas brezi, gjurmë me fakte e referencë e mire për studiues. Prof.dr.Nusret Pllana, shëndet të mirë e jetë të gjatë dhe puna jote është një lloj shenjtërie. Mirënjohje. / Dashnim HEBIBI/