Në mendjen e shumë njerëzve, fjala ‘proteinë’ sjell ndër mend shishet e mëdha që shoqërojnë palestrat dhe bodibilderët. Por në realitet, roli i proteinës në organizëm është shumë më i gjerë dhe më thelbësor sesa thjesht ndërtimi i masës muskulore.
Proteina është një përbërës thelbësor për shëndetin tonë të përditshëm, ajo ndihmon në stabilizimin e sheqerit në gjak, përmirëson funksionin e sistemit imunitar, kontribuon në një gjumë më të mirë dhe ndikon drejtpërdrejt në humorin dhe energjinë tonë. Më e rëndësishmja, ajo na ndihmon të ndihemi të ngopur më gjatë pas vakteve.
Për ta bërë këtë realitet të arritshëm për të gjithë, nutricionistja e njohur , Emily English tregon se si e përfshin proteinën në mënyrë të natyrshme në dietën e saj të përditshme, pa kufizime ekstreme dhe pa ndjekur stilin rigoroz të një sportisti profesionist.
Dita e saj nis me një filxhan çaj matcha të pasuruar me kolagjen – një ritual i vogël që i jep dozën e nevojshme të kafeinës, ndërkohë që përmirëson shëndetin e lëkurës dhe kyçeve. Më pas, ajo përgatit një omëletë me dy të bardha vezësh, të cilat përmbajnë rreth 12 gramë proteina. Shpesh, ajo shton edhe të bardha shtesë për ta çuar këtë sasi në 20 gramë.
Omëleta shërbehet mbi bukë të thekur (të ruajtur në frigorifer për të mbajtur vlerat e amidonit), e lyer me gjizë për kalcium dhe proteina shtesë, e përfunduar me domate të freskëta, avokado dhe qepë të kuqe. Ky mëngjes i thjeshtë dhe i shijshëm ofron rreth 30 gramë proteina, duke dhënë ngopje dhe energji të qëndrueshme.
Sallatat janë një zgjedhje e zakonshme për drake, tri herë në javë. Emily preferon një variant me aromë greke: rreth 120 gramë gjoks pule të pjekur në skarë (30 gramë proteina), qiqra për fibra dhe proteina bimore, dhe djathë feta.
Salca përbëhet nga kos grek i përzier me lëng limoni, mjaltë, mustardë, vaj ulliri dhe hudhër, një përzierje e pasur në shije dhe vlera ushqyese. Sallata përmban proteina nga burime të ndryshme, yndyrna të shëndetshme dhe fibra, duke krijuar një balancë ideale për një ndjesi të gjatë ngopjeje. Herë pas here, ajo e zëvendëson pulën me ton ose karkaleca deti, duke ruajtur sasinë e proteinës në rreth 35 gramë.
Shufrat e proteinave nuk janë pjesë e dietës së saj, pasi ajo i konsideron shumë të ëmbla dhe pak të kënaqshme. Në vend të tyre, ajo preferon meze të kripura si kallamar i pjekur ose qofte të vogla shtëpie. Si alternativa të tjera, zgjedh një tas me kos dhe manaferra ose disa arra – zgjedhje të thjeshta por të pasura në proteina dhe yndyrna të shëndetshme.
Për darkë, Emily zgjedh receta të shijshme dhe të lehta. Një nga preferencat e saj janë qoftet me karkaleca në stilin tajlandez, të përgatitura me hudhër, limon dhe xhenxhefil, të shoqëruara me salcë kikiriku dhe kosi.
Këto qofte ofrojnë proteina të pastra dhe përgatiten shpejt. Ajo i shërben me një sallatë të freskët me karrota dhe kastravec, dhe ndonjëherë shton oriz ose makarona për karbohidrate të nevojshme. Ky vakt përmban rreth 35 gramë proteina dhe përfaqëson një kombinim perfekt mes shijes dhe shëndetit.
Në fund të ditës, Emily zgjedh një filxhan çokollatë të nxehtë me kolagjen, të përgatitur me qumësht të plotë organik. Ky trajtim i vogël para gjumit ofron rreth 8 gramë proteina dhe ndihmon në rikuperimin e trupit gjatë natës, përveçse përmbush dëshirën për diçka të ëmbël. Syri.net-iefimerida
