Altin Dumani dhe Ilir Meta
Pas “lumit” të akuzave dhe sulmeve që kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, prej ditësh ka lëshuar kundrejt kreut të SPAK, Altin Dumanit, një ceremoni zyrtare i ka “bërë bashkë” këta të dy.
Burime për newsbomb.al bëjnë me dije se pasditen e kësaj të mërkure në ambientet e Ambasadës hollandeze në Tiranë u zhvillua një pritje në kuadër të “Ditës së Mbretit”.
Të pranishëm kanë qenë zyrtarë, politikanë e diplomatë, mes tyre dhe Dumani me Ilir Metën. Pa ç’ka se kishte shumë njerëz, ajo që ra në sy të të gjithë të pranishmëve ishte fakti se kreu i SPAK dhe ai i Partisë së Lirisë u ulën në sallë me kurriz nga njëri-tjetri.
Kujtojmë se prej ditësh Ilir Meta po akuzon kryeprokurorin Altin Dumani si një person i cili është “i kapur” nga krimi dhe se është mbrojtësi i pandëshkueshmërisë së kryeministrit Edi Rama.
Këto deklarata të ish-presidentit kanë sjellë me dhjetëra reagime nga ndërkombëtarët, të cilët kanë dënuar gjuhën e përdorur nga Meta si dhe sulmet që po i bëhen kreut të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit.