Shëndetësi

Obeziteti rrit me 70% rrezikun e shtrimit në spital dhe vdekjes nga infeksionet

Mbi një në 10 vdekje nga sëmundjet infektive në nivel global lidhet me obezitetin, sipas një studimi të ri të madh të udhëhequr nga University College London dhe publikuar në revistën The Lancet. Studimi tregon se personat me obezitet kanë 70% më shumë rrezik për t’u shtruar në spital ose për të vdekur nga një infeksion, krahasuar me ata me peshë të shëndetshme.

Obeziteti rrit rrezikun e formave të rënda të shumë infeksioneve, përfshirë gripin, COVID-19, pneumoninë, gastroenteritin dhe infeksionet urinare. Sa më i lartë indeksi i masës trupore (BMI), aq më i madh është rreziku. Personat me BMI mbi 40 kishin trefish rreziku krahasuar me ata me peshë normale.

Studiuesit analizuan të dhëna nga mbi 540 mijë persona në Mbretërinë e Bashkuar dhe Finlandë, të ndjekur për rreth 13–14 vjet. Lidhja mes obezitetit dhe infeksioneve të rënda ishte e qëndrueshme, pavarësisht mënyrës së matjes së obezitetit, dhe nuk shpjegohej nga sëmundje të tjera kronike si diabeti apo sëmundjet e zemrës.

Sipas autorëve, obeziteti mund të dobësojë sistemin imunitar përmes inflamacionit kronik dhe çrregullimeve metabolike. Njerëzit me obezitet nuk infektohen domosdoshmërisht më shpesh, por e kanë më të vështirë të shërohen.

Studimi gjeti gjithashtu se humbja e peshës ul rrezikun: personat obezë që humbën peshë kishin rreth 20% më pak rrezik për infeksione të rënda.

Sipas vlerësimeve globale, rreth 10.8% e vdekjeve nga infeksionet në vitin 2023 lidhen me obezitetin. Në Mbretërinë e Bashkuar kjo shifër arrin në 17%, ndërsa në SHBA në 26%. Studiuesit theksojnë nevojën urgjente për politika që mbështesin ushqimin e shëndetshëm, aktivitetin fizik dhe vaksinimin.

Të Ngjashme