Më shumë se gjysma e rasteve të reja të HIV-it në Europë (54%) diagnostikohen tepër vonë për të garantuar trajtim optimal. Në vendet e BE-së dhe të Zonës Ekonomike Evropiane, kjo shifër arrin në 48%. Të dhënat vijnë nga raporti i përbashkët i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe ECDC-së, “Mbikëqyrja e HIV/AIDS në Europë”, i publikuar pak para Ditës Botërore të HIV/AIDS.
Sipas raportit, më shumë se gjysma e të diagnostikuarve kanë një nivel të qelizave CD4 nën 350 qeliza/mm³, ndërsa rreth një e treta paraqiten me infeksion të avancuar (më pak se 200 qeliza/mm³). Diagnoza e vonë është më e shpeshtë tek burrat heteroseksualë, përdoruesit e drogës me injeksion dhe të moshuarit, me ndryshime të konsiderueshme mes vendeve.
Hans Kluge, Drejtori Rajonal i OBSH-së për Europën, paralajmëron se numri i personave që jetojnë me HIV pa e ditur po rritet, duke shtuar rrezikun e transmetimit. “Nuk po bëjmë sa duhet për të kapërcyer stigmat dhe diskriminimin që i pengojnë njerëzit të kryejnë një test të thjeshtë”, u shpreh ai.
Në këtë kontekst, OBSH dhe ECDC kërkojnë veprime urgjente: rritjen e testimeve të rregullta, zgjerimin e mundësive për vetë-testim dhe arritjen e grupeve që mbeten jashtë shërbimeve shëndetësore tradicionale.
/tiranapost


