Oda e Mjekëve të Kosovës ka mbajtur mbledhjen konstituive të Kuvendit të legjislaturës së katërt, ku u theksua rëndësia e forcimit të standardeve profesionale dhe bashkëpunimit institucional për avancimin e sistemit shëndetësor në vend.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi se roli i Odës së Mjekëve dhe i odave të tjera profesionale është thelbësor në përmirësimin e standardeve të profesionit, zhvillimin e etikës mjekësore dhe në mbështetjen e edukimit të vazhdueshëm profesional për mjekët.
Sipas tij, përmes programeve të edukimit të vazhdueshëm profesional, Oda e Mjekëve në bashkëpunim me institucionet shëndetësore ka investuar mbi një milion euro për ngritjen e kapaciteteve profesionale të mjekëve dhe për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët.
Vitia theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Odës së Mjekëve është i domosdoshëm dhe se ky bashkëpunim ka ndikuar në procese të rëndësishme për zhvillimin e sistemit shëndetësor në vend.
Ai e cilësoi gjithashtu procesin zgjedhor brenda Odës si një moment të rëndësishëm institucional që ndihmon në konsolidimin e mëtejshëm të këtij institucioni dhe në rritjen e besimit të anëtarëve të saj.
Ministri bëri të ditur se buxheti për shëndetësi ka arritur rreth 400 milionë euro dhe se investimet po vazhdojnë në modernizimin e infrastrukturës shëndetësore, pajisje mjekësore dhe blloqe operative, si dhe në rritjen e pagave të stafit mjekësor.
Ndërkohë, kryetari i Oda e Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, shpalli hapjen zyrtare të punimeve të Kuvendit të legjislaturës së katërt, duke u bërë thirrje përfaqësuesve të zgjedhur që të përmbushin përgjegjësinë ndaj kolegëve dhe profesionit të tyre.
Sejdiu i uroi suksese anëtarëve të Kuvendit dhe shprehu shpresën për një mandat të suksesshëm në drejtimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Odës.
