Lajme

Ofshama e Osmanit në konferencë me ambasadorin amerikan, Bytyçi: Kosova të përgatitet për një zhgënjim të tmerrshëm

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, ka reaguar pas konferencës së djeshme të presidentes Vjosa Osmani dhe ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier.

Sipas Bytyçit, Osmani në këtë konferencë është vënë në pozitë të vështirë nga ambasadori Hovenier, për t’iu kundërvënë kryeministrit Albin Kurti, përcjell Bota sot.

Ai ka paralajmëruar Kosovën që të përgatitet për një zhgënjim të tmerrshëm, pasi ofshama e Osmanit, sipas tij, është piskamë hidhërimi dhe vajtim para tragjedisë.

“Të besosh kaq shumë te Amerika e në fund po Amerika të të thotë se “duhet me i dhanë tokë Serbisë”, kjo është jo vetëm zhgënjim, por trishtim shumë i madh!”, ka shkruar analisti ndër tjerash.

Reagimi i tij i plotë, në Facebook:

Ofshama e presidentes Vjosa Osmani është piskamë hidhërimi!

Pashë një video nga konferenca e djeshme për shtyp e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ambasadorit amerikan, Hovenier, dhënë pas firmosjes për grantin e USAID për Kosovën. Dëgjova fjalën e zotit ambasador dhe ndjeva se sjellja e tij është tejet përçarëse për krerët e institucioneve të Kosovës.

Dokumentin e ndihmës së USAID nuk e firmosi presidentja. Por ajo ishte thirr në dekorin e ceremonisë, si sfiduese e qeverisë, derisa zoti Hovenier tha se “Kjo ndihmë është për popullin e Kosovës dhe jo për qeverinë e Kosovës”! Ishte një deklaratë mosnjohëse të një qeverie legjitime të Republikës së Kosovës, kjo. Ishte një sfidë për kryeministrin Kurti. Dhe duket se në këtë sfidë ambasadorit amerikan në Prishtinë i duhet në një rol të caktuar Presidentja e Republikës.

Nuk desha ta bëj një status si ky derisa para pak minutash të kësaj mesnate (mbrëmë) pashë një video në të cilën zonja Osmani i përgjigjet zotit Hovenier me një ofshamë, pas një pyetjeje që ai ia bën asaj në anglisht përpara mikrofonit të hapur! Nuk u lodha ta përkthej pyetjen e zotit Hovenier. Më mjaftoi ofshama e presidentes Osmani për të kuptuar pozitën e vështirë në të cilën po e vendos ambasadori amerikan atë për t’iu kundërvënë kryeministrit Albin Kurti.

Eshtë vërtetë sfida më e vështirë për një lider të Kosovës të gjendet midis dy zjarreve, – zjarrit të qytetarëve të vendit të vet dhe zjarrit të arrogancës së ambasadorit të vendit aleat dhe mik të Kosovës, SHBA-ve! Unë e dua Amerikën. Më besoni për këtë! Në vitin 2005 kam shkruar librin “Shqiptarët, serbët dhe grekët” e në atë libër kam thënë se “Nëse Europa nuk bëhet bashkë për ta krijuar shtetin e pavarur të Kosovës, Kosova do të duhet t’u kërkojë amerikanëve të bëhet shteti i 52-të federal i SHBA-ve”!

Por kurrë nuk më shkonte në mendje se po të ndodhte kjo, paska pasë me shku me kohë veriu i Kosovës, bashkë me Mitrovicën e Veriut, Leposaviçin, Zubin Potokun e Zveqanin, pra bashkë me Trepçen dhe të gjitha pasuritë e tjera, përfshirë Ujmanin!

Prandaj dhe ofshamën e presidentes Osmani e shoh si ofshamë të Kosovës! Kosova duhet të përgatitet për një zhgënjim të tmerrshëm! Të besosh kaq shumë te Amerika e në fund po Amerika të të thotë se “duhet me i dhanë tokë Serbisë”, kjo është jo vetëm zhgënjim, por trishtim shumë i madh! Ofshama e zonjës Osmani është piskamë hidhërimi! Eshtë vajtimi para një tragjedie!

Ofshama e Vjosa Osmanit është jo vetëm e Kosovës, është Kosova vetë! Eshtë fati i saj! Eshtë pafuqia e saj për të kundërshtuar diçka që shkon kundër interesave të Kosovës. Ofshama e Vjosa Osmanit është këmbanë alarmi për t’u bashkuar, për t’i thënë JOOOO atyre diplomatëve amerikanë që janë angazhuar për interesat e Serbisë në Kosovë. Ofshama e presidentes së Kosovës është më shumë se ofshamë! Eshtë kujë! Eshtë tërmet!

Nëse nuk do të gjendet një rrugë mirëkuptimi për ta jetësuar shtetin e Kosovës në çdo milimetër katëror të saj, atëherë duhen ridimensionuar aleancat! Ka shtete në Europë që kanë interesa më të afërta me Kosovësn sesa me Serbinë. Mesa duket SHBA-të i kanë transferuar interesat e veta në Beograd! Eshtë e drejta e tyre. Kosova duhet të mbështetet te shtetet që e mbështesin Kosovën, së paku në të drejtën e vet dhe jo Beogradin në të padrejtën e tij kundër Kosovës!

Ofshama e Presidentes është stuhi që duhet përballuar! Çdo përballje nis me ofshamë. Kur i dobëti ofshan para të fortit! Kur i forti sillet me viktimën me arrogancë në publik! Kur i dobëti ul kokën e ikën me ofshamë nga i forti! Duhet ditur se ky i dobëti ka nis startin e ringritjes, ka lidhe këmbët e trupin e vet me tokën që e ka lindur dhe merr energjinë e saj për t’u përballur me të fortin! E në këtë rast energjia e tokës shndërrohet në energjinë e Zotit, pra të së drejtës, të së moralshmes, të së vërtetës! Që në gjuhën shqipe ne e përkthejmë liri! Liri për të vendosur vetë për fatin tonë! Liri edhe për të përzgjedhur vetë ne aleatët tanë!

Për deri më sot, nëse nuk e ndryshojnë trajektoren, u thoni shumë faleminderit amerikanëve! Pastaj u thoni se shohim e bëjmë! Nëse jeni me ne, edhe ne jemi me ju! Sigurisht! Nëse nuk jeni me ne, atëherë ne nuk ju pengojmë të bëheni aleatët e armikut genocidist tonit!