Aktori francez Olivier Martinez ka ngritur akuza ndaj ish-bashkëshortes së tij, aktores Halle Berry, duke pretenduar se ajo ka ushtruar dhunë fizike ndaj djalit të tyre 12-vjeçar, Maceo.
Të lidhura
None found
Sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga “People”, incidenti dyshohet se ka ndodhur më 26 shtator, kur Berry dhe djali i saj janë përfshirë në një konflikt. Martinez pretendon se aktorja i ka vendosur duart në qafë dhe është përpjekur ta mbysë.
Ai e ka cilësuar ngjarjen si rastin “më të fundit” në një seri incidentesh të pretenduara dhune. Në kërkesën e depozituar në gjykatë, Martinez ka deklaruar se “kanë ndodhur edhe incidente të tjera abuzimi gjatë viteve të fundit”.
Përballë këtyre pretendimeve, babai i Maceos i është drejtuar gjykatës me kërkesë për vendosjen e masave të përkohshme mbrojtëse.
Dokumentet përmbajnë edhe disa mesazhe të shkëmbyera mes ish-partnerëve, ku ata diskutojnë në mënyrë të tensionuar se me cilin prej tyre do të qëndronte djali gjatë atyre ditëve.
Në një prej komunikimeve, Halle Berry shpreh pakënaqësinë e saj për marrëdhënien me të birin dhe thotë se ndihet e shpërfillur. “Jam nëna e tij! Ai nuk më respekton aspak dhe as ti, si babai i tij, nuk duhet ta pranosh këtë. Nuk më respekton, ndihem sikur nuk kam zë në asgjë. Jam thjesht një portofol! Kjo nuk është e drejtë!”, thuhet në mesazhin e saj.
Më 27 shtator, një ditë pas incidentit të pretenduar, Berry i ka dërguar Martinezit një tjetër mesazh, duke i kërkuar që ta nxiste Maceon të komunikonte me të.
“Do ta vlerësoja vërtet nëse do ta inkurajoje të fliste me mua sot. Ndihem tmerrësisht keq për atë që ndodhi mbrëmë dhe e di që edhe ai ndihet kështu”, thuhet në mesazhin e dërguar nga aktorja.
Avokatja e Halle Berry, Marina Beck, i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si “krejtësisht të pabazuara dhe qëllimisht mashtruese”.
Beck ka deklaruar se Berry është “thellësisht e trishtuar” nga situata, por nuk do të lejojë që pretendimet e Martinezit ta pengojnë të mbrojë atë që ajo e konsideron interesin më të mirë të djalit të tyre.
“Berry është mësuar me këtë lloj sjelljeje nga zoti Martinez dhe, megjithëse është thellësisht e trishtuar, nuk do të lejojë që kjo ta pengojë të luftojë për të mirën e Maceos dhe t’i ofrojë atij dashurinë dhe mbështetjen që i nevojiten”, ka thënë Beck.
Edhe avokati i Olivier Martinez, Patrick Baghdaserians, ka reaguar duke theksuar se prioriteti i klientit të tij është “shëndeti, mirëqenia dhe siguria e fëmijës së mitur”.
Sipas tij, kjo është arsyeja përse Martinez ka kërkuar ndërhyrjen e gjykatës dhe një urdhër kufizues, në kuadër të çështjes së paraqitur si dhunë në familje.
Halle Berry dhe Olivier Martinez kërkuan divorcin në tetor të vitit 2015, rreth dy vjet pas martesës. Procedura përfundoi pas gati tetë vitesh, ndërsa divorci u finalizua në vitin 2023. Ish-bashkëshortët ranë dakord të kujdeseshin bashkërisht për djalin e tyre, Maceo.
Berry ka edhe një vajzë, Nahla, 18 vjeç, nga lidhja e mëparshme me Gabriel Aubry.
