Olsa Muhameti ka vendosur t’u përgjigjet disa prej pyetjeve të ndjekësve rreth mënyrës se si funksionon “Big Brother VIP”, duke prekur edhe një prej temave që ka shkaktuar shpesh diskutime: rolin e produksionit në dhomën e rrëfimit.
Një ndjekës e pyeti se cili është, sipas saj, perceptimi më i gabuar që publiku ka për mënyrën se si funksionon formati.
Përgjigjja e Muhametit lidhej pikërisht me pretendimet se produksioni mund të ndikojë lojën dhe sjelljen e banorëve përmes bisedave që zhvillohen larg kamerave të shtëpisë.
“Se produksioni ndikon lojën e banorëve përmes dhomës së rrëfimit…”, shkroi ajo, duke e cilësuar këtë si një perceptim të gabuar.
Muhameti ishte kategorike në qëndrimin e saj: “Totalisht gabim, nëse do të ishte ashtu, do të ishte fake dhe formati nuk do të kishte sukses”.
Deklarata vjen në një kohë kur marrëdhënia mes produksionit dhe banorëve brenda dhomës së rrëfimit ka qenë herë pas here objekt diskutimesh. Madje, më herët ish-banorja Jasmin Kadriu kishte bërë pretendime publike për përvojën e saj dhe komunikimin me produksionin në këtë ambient.
Me përgjigjen e saj, Muhameti mohon se dhoma e rrëfimit përdoret për t’u diktuar banorëve mënyrën se si duhet të luajnë. Sipas saj, ndërhyrja e produksionit në lojën e konkurrentëve do të cenonte vetë autenticitetin mbi të cilin mbështetet formati.
