ShowBizzz

“One Battle After Another” triumfues edhe në “Golden Globes” 2026

Saga revolucionare e Paul Thomas Anderson, “One Battle After Another”, triumfoi në Golden Globes Awards duke u shpallur filmi më i mirë në kategorinë komedi, ndërsa drama shekspiriane e Chloé Zhao, “Hamnet”, fitoi çmimin kryesor për filmin më të mirë dramatik, në ceremoninë e 83-të të Globes, të mbajtur dje në mbrëmje.

“One Battle After Another” u vlerësua gjithashtu me çmimet për regjinë dhe skenarin më të mirë për Anderson, si edhe për aktoren më të mirë në rol dytësor për Teyana Taylor.

Me këtë sukses, Anderson u bë vetëm regjisori i dytë në historinë e Globes që fiton njëherazi çmimet për film, regji dhe skenar, si producent, pas Oliver Stone me “Born on the Fourth of July”.

Në një mbrëmje që përgjithësisht ndoqi parashikimet e sezonit të çmimeve, surpriza më e madhe erdhi në fund, kur “Hamnet” mposhti filmin “Sinners” për çmimin e filmit më të mirë dramatik.

“Hamnet”, i bazuar në romanin bestseller të Maggie O’Farrell, rrëfen një histori imagjinare mbi jetën e William dhe Agnes Shakespeare.

Jessie Buckley, protagoniste e filmit, fitoi gjithashtu çmimin për aktoren më të mirë në rol kryesor në dramë.

Filmi “Sinners” i Ryan Coogler siguroi vlerësimet për kolonën zanore më të mirë dhe për arritje kinematografike e të box-office/it.

Pavarësisht vlerësimeve fillestare, filmi arriti të arkëtojë 278 milion dollarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e 368 milion në rang botëror, duke u bërë realizimi kinematografik origjinal, me fitimet më të larta në 15 vitet e fundit.

Ceremonia shënoi edhe fitore të tjera të rëndësishme, përfshirë çmimin e parë Golden Globes për Timothée Chalamet, i cili u shpall aktori më i mirë për rolin e tij në “Marty Supreme”.

Golden Globes u zhvillua në një atmosferë festive dhe solidariteti mes kineastëve, duke konfirmuar rikthimin e plotë të ceremonisë, si një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë së filmit dhe televizionit.




Të Ngjashme