2
Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar vërshime serioze në rajonin e Mitrovicës së Jugut, duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Në një operacion shpëtimi sot, Policia e Kosovës ka ndërhyrë me barkë për të evakuuar një familje katër-anëtarëshe që kishte mbetur e izoluar brenda shtëpisë së tyre.
Situata pas reshjeve të fundit në Mitrovicë është rënduar ndjeshëm, duke bërë që disa zona të bëhen të pakalueshme. Sfidën më të madhe e kanë pasur banorët e rrugës “2 Korriku”, ku niveli i ujit ka bllokuar qasjen në shtëpi banimi.
Njësia e Kontrollit të Kufirit Ujor (NJKKU) e Policisë së Kosovës, në koordinim me Drejtorinë e Emergjencave, ka realizuar një ndërhyrje kritike. Përmes përdorimit të barkave të shpëtimit, ekipet policore kanë arritur të nxjerrin shëndosh e mirë katër anëtarë të një familjeje, të cilët ishin të bllokuar dhe të rrezikuar nga depërtimi i ujit.
Policia e Kosovës ka theksuar se përveç detyrave të rregullta, mbrojtja e jetës së qytetarëve në situata emergjente mbetet prioritet.
“Ky veprim është dëshmi e qartë se Policia e Kosovës është drejtpërdrejt e angazhuar në mbrojtjen e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve, sidomos në situata emergjente kur vendi përballet me rreziqe natyrore,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Policia e Kosovës mbetet në terren, e gatshme të reagojë dhe të ndihmojë çdo qytetar në nevojë si dhe të ofrojë ndihmën e nevojshme për institucionet tjera përgjegjëse për menaxhimin e situatave emergjente dhe ekipet tjera për shpëtim.


