
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka përgëzuar Policinë e Kosovës dhe të Shqipërisë për aksionin e përbashkët, i cili rezultoi me goditjen e grupit kriminal që trafikonin armë.
Ai ka thënë se vetëm duke bashkëpunuar dhe jo duke përkrahur krimin, vendet tona ecin përpara drejt rajonit stabil e të integruar në BE.
“Përgëzoj aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Shqipërisë që rezultoi me goditjen e një grupi kriminal në kuadër të luftës së përbashkët të trafikimit të armëve. 64 armë zjarri të konfiskuara dhe mbi 20 shtetas të Kosovës dhe Shqipërisë të arrestuar është bilanci i këtij operacioni i cili është shembull i bashkëpunimit të shkëlqyer të policive tona. Vetëm duke bashkëpunuar dhe jo duke përkrahur krimin, vendet tona ecin përpara drejt rajonit stabil e të integruar në BE”, ka shkruar ai.
Një grup kriminal i trafikut të armëve që ishte aktiv në Kosovë e Shqipëri është shkatërruar pas nëntë muaj hetime nga Prokuroria Speciale e Kosovës me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë prezantuar armatimet që janë konfiskuar gjatë një operacioni të përbashkët ndaj një grupi kriminal që trafikonte armë.