Lajme

“Opinioni i gjykatës ndërkombëtare ishte fitore historike për Kosovën, Serbia zhvilloi një diplomaci aktive dhe të strukturuar kundër Kosovës”

Prof. Dr. Fejzulla Berisha ka vlerësuar se Opinioni Këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), i 22 korrikut 2010, përbën një nga fitoret më të mëdha juridike dhe diplomatike në historinë moderne të Kosovës, por sipas tij, kjo arritje ende nuk është shfrytëzuar plotësisht në arenën ndërkombëtare.

Ai ka thënë se ICJ-ja e bëri të qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës “nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”, duke e cilësuar këtë si një moment me peshë të jashtëzakonshme në të drejtën ndërkombëtare publike.

“Për herë të parë, organi më i lartë gjyqësor i Kombeve të Bashkuara konstatoi qartë se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ky formulim nuk e kriminalizon aktin e shpalljes së pavarësisë dhe nuk e ndalon krijimin e shteteve të reja si proces politik dhe historik”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, një nga kontributet më të rëndësishme të opinionit të ICJ-së është ndarja ndërmjet parimit të integritetit territorial dhe të drejtës së vetëvendosjes së popujve.

“Gjykata nuk e trajtoi rastin e Kosovës si konflikt mes dy parimeve absolute, por si një rast të veçantë historik dhe juridik, ku realitetet politike dhe humanitare kanë krijuar një situatë sui generis”, është shprehur ai.

Berisha ka theksuar se opinioni i ICJ-së ka ndikuar në forcimin e legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe në zhvendosjen e debatit nga pretendimet për “paligjshmëri” drejt interpretimeve politike.

Image
Prof. Dr. Fejzulla Berisha

Ai ka thënë se pas vitit 2010, Kosova fillimisht pati një diplomaci më dinamike, me intensifikim të fushatave për njohje dhe zgjerim të kontakteve ndërkombëtare, por kjo, sipas tij, nuk u shoqërua me një strategji afatgjatë të qëndrueshme.

“Në disa periudha, diplomacia kosovare ka marrë më shumë karakter mbrojtës sesa ofensiv strategjik. Ka munguar vazhdimësia në fushatat për njohje, strategjia unike shtetërore dhe koordinimi institucional”, ka potencuar Berisha.

Në anën tjetër, ai ka vlerësuar se Serbia ka zhvilluar një diplomaci aktive dhe të strukturuar kundër Kosovës.

“Serbia ka ndërtuar rrjete të fuqishme lobimi, ka forcuar aleancat me Rusinë dhe Kinën, si dhe ka zhvilluar fushata të vazhdueshme kundër njohjeve të Kosovës. Ky aktivitet ka ndikuar në ngadalësimin e procesit të njohjeve dhe në ruajtjen e status quo-së diplomatike”, ka deklaruar ai.

Sipas Berishës, Opinioni i ICJ-së mbetet një kapital i madh juridik dhe diplomatik për Kosovën, por ai ende nuk është shndërruar në një platformë të koordinuar globale për avancimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit.

“E drejta ndërkombëtare krijon hapësira legjitimiteti, por diplomacia është ajo që i shndërron ato në realitet politik. Sfida kryesore për Kosovën mbetet transformimi i këtij kapitali juridik në fuqi efektive diplomatike dhe politike”, ka përfunduar Prof. Dr. Fejzulla Berisha.

Të Ngjashme