Lajme

Opozita në Ferizaj akuzon pushtetin për keqpërdorim

Partitë opozitare në Komunën e Ferizajt kanë kundërshtuar vendimin për privatizimin siç thanë ata të çerdheve publike. Por nga pushteti lokal kanë thënë për televizionin se kjo ka ardhur me kërkesë të prindërve.

Me vendim të Kuvendit Komunal të Ferizajt, çerdhet publike të qytetit do të privatizohen.

Një vendim i tillë ka ngjallur reagime të shumta në këtë komunë, ku pushteti lokal po akuzohet nga opozita se nuk është konsultuar me grupet e interesit dhe pa ndonjë dëgjim publik.

Asamblistja e LDK-së, Verona Isaku thotë se kanë mungesë të informacioneve se si do të bëhet implementimi i tij dhe se i gjithë vendimi i marrë është i kundërligjshëm.

“Gjithashtu ne si opozitë kemi kërkuar që seanca e fundit e Kuvendit Komunal në Ferizaj të anulohet për shkak që kanë qenë vetëm 19 anëtarë që e kanë votuar rendin e ditës por nuk ka pasur kuorum të vazhdojë tutje kjo seancë që i bie se çdo vendim që ka marrë tutje Kuvendi Komunal nuk është vendim që është në rregull, dmth krejt tjerat kanë vazhduar pa kuorum”, tha Isaku.

Vendimin e kundërshtojnë edhe nga partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, ku asamblisti Amir Rexhepi thotë se kanë pasur propozime tjera.

“Ne kemi propozuar që këto çerdhe të subvencionohen të krijohet një kod buxhetor, të ndahen mjetet dhe të funksionalizohen përmes subvencionimit sepse kemi praktika të tilla komuna të tilla kanë ndjekur këtë shembull i kanë funksionalizuar përmes subvencionimit. Nuk është zgjidhje që këto objekte të cilat Komuna e Ferizajt ka investuar miliona euro ndërsa tash të jipen një operatori privat dmth që do të menaxhojë me ato çerdhe”, tha Rexhepi.

Por nga Komuna e Ferizajt thonë se nuk bëhet fjalë për privatizim, por dhënie në shërbim të këtyre institucioneve për një periudhë 5-vjeçare.

Drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani ka treguar se kjo ka qenë edhe kërkesë imediate e prindërve për të ofruar një zgjidhje.

“Meqenëse është kërkesë e vazhdueshme e prindërve të cilët rrisin fëmijë dhe nuk kanë ku t’i dërgojnë. Prandaj ka qenë kërkesë immediate e prindërve dhe është kërkesë edhe e Qeverisë lokale duke u bazuar në këtë mënyrë që ne i japim mundësi prindërve të rinj të punojnë, prindërve të rinj t’i edukojnë fëmijët sepse edukimi i hershëm i përgatit fëmijët shumë më mirë për të gjitha shkallët tjera të shkollimit”, tha Llabjani.

Edhe Shoqëria Civile ka kërkuar tërheqjen e këtij vendimi ku e kanë quajtur edhe “trafikim” të edukimit parashkollor.