Dy partitë opozitare, PDK-ja dhe Aleanca kanë refuzuar ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takimin konsultativ të së martës, ku ishte paraparë të diskutohej për zgjidhjen e ngërçit institucional dhe zgjedhjen e një presidenti konsensual. PDK e ka cilësuar ftesën si “manipulim politik”, ndërsa Aleanca ka akuzuar Vetëvendosjen për zvarritje të qëllimshme të krizës institucionale.
Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, tha se partia e tij nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Haxhiu. Sipas tij, zgjidhja duhet të kërkohet në Kuvend dhe jo përmes takimeve konsultative.
“Kjo është edhe një tentativë e manipulimit të Kurtit me shtyrjen e afateve kundrejt afateve të Gjykatës Kushtetuese. Haxhiu më mirë kishte me qenë me i shkrua letër Avni Deharit, sepse çdo pushtet në Kosovë bazohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe Kuvendi është i suspenduar. Si mundesh me ushtru mandate edhe me dërgu letra dhe nuk ia dërgon letrën Avni Deharit. Prandaj, ky është manipulim i radhës dhe PDK nuk do të jetë në atë takim. Po ju themi: ejani në Kuvend, mos ikni”, tha Ismaili.
Ai bëri të ditur se grupi parlamentar i PDK-së i ka kërkuar sërish kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës më 16 gusht.
“Ta rikthejmë rendin kushtetues në Kosovë. Ta thërrasim seancën, ta propozojmë kryetarin e Kuvendit dhe ta konstituojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk mund të bëhet asnjë hap përpara duke ecur jashtë Kushtetutës. Por, në të njëjtën kohë, Kosova nuk mund të mbetet peng i Albin Kurtit pafundësisht. Nuk do të pranojmë, nuk do ta normalizojmë një sjellje të tillë dhe nuk do ta lejojmë”, deklaroi Ismaili.
Edhe Aleanca ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin e së martës.
Kryetari i saj, Ardian Gjini, ka akuzuar Vetëvendosjen se po e zvarrit krizën institucionale me synimin që zgjedhjet e reja të mbahen në një datë që i konvenon kësaj partie.
“Qëllimi juaj është më shumë se kaq. Ju doni ta zvarrisni këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet. Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi”, ka shkruar Gjini.
Ai ka thënë se nëse Vetëvendosja kërkon votat dhe kuorumin e Aleancës, duhet t’i pranojë gjashtë kërkesat e saj.
Kërkesat e Aleancës janë: pranimi i gazit amerikan, ndërtimi i kapaciteteve energjetike, përfundimi i infrastrukturës kryesore, ngritja e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla, lirimi i bujqve nga tatimi në pronë dhe investimet në kryeqytet.
Pas refuzimit të PDK-së dhe Aleancës, ka reaguar kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari. Ai ka bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje ndërmjet partive politike, duke paralajmëruar se vazhdimi i seancës pa një dakordim paraprak mund ta përshkallëzojë situatën.
“Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit. Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë”, ka thënë Dehari.
Ftesa e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, erdhi pasi LDK-ja deklaroi se heq dorë nga partneriteti potencial për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen dhe bëri thirrje për kandidatura konsensuale për president.
Ndërkohë, një javë më parë ka përfunduar afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Legjislaturës së 11-të. Deputetët kanë dhënë betimin, por procesi ka mbetur i bllokuar te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka arsyetuar refuzimin për propozimin e kryetarit të Kuvendit me mungesën e një marrëveshjeje për presidentin. Ai ka paralajmëruar se, pa një marrëveshje politike, mund të konsumohet edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe vendi të shkojë sërish në zgjedhje.
Kriza institucionale vazhdon të mbetet e pazgjidhur, ndërsa partitë politike deri më tani nuk kanë arritur marrëveshje për zhbllokimin e Kuvendit dhe për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.
