Lajme

Orav: Borrell ka rekomanduar heqjen e masave, pas reformave do t’ju mbështesim me fonde

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell ka rekomanduar heqjen e masave ndaj Kosovës, ndërsa diskutimet po vazhdojnë me anëtarët e Këshillit.

Orav ka theksuar se BE ka marrë një hov të ri për zgjerimin e saj, mirëpo Kosova dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë punë dhe çështje për të zgjidhur në mes vete.

“Aderimi në BE është një çështje shumë me rëndësi, edhe për BE-në është obligim t’i përgjigjet historisë, sot lufta është kthyer në botë, me luftën e agresionit rus në Ukrainë. Ky hov i ri për zgjerimin është mu tani, kohët e fundit kemi hapur negociatat me Shqipërinë, pas shumë viteve punë. Pasi të adaptoni reformat në përputhje me agjendat e BE-së ne do t’ju mbështesim me fondet, Kosova dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shumë punë për të bërë edhe duke zgjidhur çështjet me njëra tjetrën. BE nga ana tjetër e tregon zotimin ndaj jush edhe përmes asistencës financiare”, u shpreh Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.

Sa i përket sulmit në Banjskë dhe reagimit policor, ai tha se kjo ka treguar reagimin profesional të Policisë së Kosovës.

Kosova, sipas tij, ka shënuar progres të mirë në funksionimin e një ekonomie funksionale, ndërsa shtoi se Kuvendi është ballafaquar me sfida në çuarjen përpara të ligjeve për të cilat Kosova ka nevojë./teve1.info/