Lajme

“Organizatë terroriste”/ Kosova “godet” Iranin politikisht, njohësit komentojnë vendimin dhe ndikimin

Të hënën në mbledhje, Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin që të shpallë “organizatë terroriste”, Gardën Revolucionare Islamike të Iranit.

Duke ia prezantuar kabinetit qeveritar propozim-vendimin, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se projektligji ofron bazën ligjore dhe strategjike për shpalljen e saj si një “organizatë terroriste” në Republikën e Kosovës.

“Garda Revolucionare Islamike e Iranit është përcaktuar si një entitet që përdor terrorizmin dhe dhunën e organizuar si mjet të politikës së jashtme dhe kontribuon në paqëndrueshmërinë rajonale dhe globale. Përmes këtij vendimi, Kosova forcon qëndrimin e saj në mbrojtjen e sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë Kurti.

Ai theksoi se me këtë vendim, vendi i tij tregon qartë angazhimin e tij për të qëndruar përkrah aleatëve të tij strategjikë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit.

Propozimi u pranua me votim unanim nga anëtarët e kabinetit qeveritar.

Ky vendim u mirëprit nga Izraeli, që përmes një postimi në Facebook, kërkojnë që e gjithë bota të bashkohet në luftën kundër regjimit terrorist të Iranit

‘’Ne e mirëpresim njoftimin e Republikës së Kosovës për të shpallur IRGC-në si një organizatë terroriste. Bota duhet të bashkohet në luftën kundër regjimit terrorist të Iranit’’, ka shkruar MPJ-ja izraelite.

Mesazh i fortë dhe i drejtë

Analisti dhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Eduard Gashi, thotë se vendimi i Kosovës për ta shpallë Gardën Revolucionare Islamike të Iranit “organizatë terroriste”, është i drejtë dhe se Kosova ka zgjedh rendin dhe jo kaosin.

Image
Eduard Gashi

Vendimi i Kosovës – mesazh i fortë dhe i drejtë! Shpallja e Islamic Revolutionary Guard Corps si organizatë terroriste e vendos Kosovën qartë në anën e vendeve që e shohin këtë strukturë si burim destabilizimi në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. IRGC lidhet shpesh me mbështetje për grupe të armatosura dhe operacione të fshehta që minojnë sigurinë ndërkombëtare. Në këtë kuptim, vendimi është i qartë: Kosova zgjedh rendin, jo kaosin”, shprehet Gashi.

Sipas tij, ky hap e afron Kosovën edhe më shumë me Izraelin dhe Amerikën.

I pyetur rreth efekteve dhe aleatëve të Iranit ndaj këtij vendimi të Kosovës, Gashi thotë se mund ta shohin si provokim politik.

Ky hap e afron Kosovën edhe më shumë me Israel dhe United States — dy aktorë që prej kohësh e konsiderojnë IRGC si kërcënim serioz. Për një shtet të vogël, kjo është një deklaratë orientimi strategjik: nuk qëndron në mes, por pozicionohet qartë me kampin e sigurisë dhe stabilitetit. Efekti ndaj Iranit dhe aleatëve të tij! Është e pritshme që Iran dhe vendet që mbajnë lidhje të ngushta me të ta shohin këtë si provokim politik. Por kjo është pikërisht ajo që ndodh kur një shtet vendos të mos jetë neutral ndaj strukturave që konsiderohen destabilizuese. Kosova, në këtë rast, nuk po kërkon kompromis me modele që bien ndesh me interesat e saj strategjike”, pohon analisti.

Tashmë hapet dera për thellim të bashkëpunimit me Izraelin në siguri, inteligjencë dhe mbrojtje, shprehet Gashi, duke shtuar se Kosova ka dhënë mesazh të qartë se është në anën e atyre që luftojnë terrorizmin dhe kërcënimet ndaj rendit ndërkombëtar.

Bashkëpunim më i fortë me Izraelin! Ky vendim hap derën për thellim bashkëpunimi me Izraelin në siguri, inteligjencë dhe mbrojtje kibernetike. Izraeli është një nga vendet më të avancuara në këto fusha, dhe një partneritet më i ngushtë mund të sjellë përfitime konkrete për kapacitetet e Kosovës. Kosova ka zgjedhur të mos jetë spektatore. Ajo po dërgon një mesazh të qartë: është në anën e atyre që luftojnë terrorizmin dhe kërcënimet ndaj rendit ndërkombëtar. Sfida tani nuk është deklarata — por që ky pozicion të shoqërohet me forcim real të sigurisë dhe diplomacisë”, përfundon Gashi.

Shtet sponsor i terrorizmit”, Irani u shpallë nga Shqipëria, muajin e kaluar përmes një rezolute të miratuar nga Kuvendi shqiptar.

Rezoluta u miratua me 79 vota për, një abstenim ndërsa opozita nuk mori pjesë në seancë.

Përmes kësaj rezolute, Shqipëria dënoi veprimet e Republikës Islamike të Iranit që, sipas dokumentit, mbështesin dhe mundësojnë akte terrorizmi, operacione hibride dhe aktivitete destabilizuese në rajone të ndryshme të botës, si dhe shprehet solidaritet i plotë me vendet mike të Gjirit Arab dhe me Turqinë, të cilat janë shënjestuar ditëve të fundit nga Irani.

Përmes rezolutës u dënuan edhe sulmet kibernetike të kryera kundër institucioneve të Shqipërisë, përfshirë sulmin e vitit 2022 ndaj infrastrukturës shtetërore dhe përpjekjet e fundit për ndërhyrje në sistemet e Kuvendit.

Forcimi i pozicionit të Kosovës

Ndërsa, eksperti i sigurisë Fidair Berisha vendimin e Kosovës për ta shpallë Gardën Islamike të Iranit si organizatë terroriste e sheh si dëshmi shtesë se politikanët po veprojnë në mënyrë të menduar dhe strategjike.

Image
Fidair Berisha

Sipas tij, ky është tregues që Kosova me politikat e saj është në linjë me SHBA-në.

“Kosova në vazhdimësi po dëshmon se është një shtet me orientim të qartë pro-amerikan dhe pro-perëndimor. Edhe vendimi për shpalljen Gardes Islamike të Iranit, si organizatë terroriste nga Kosova është një dëshmi shtesë se politikanët kosovarë po veprojnë në mënyrë të menduar dhe strategjike. Edhe pse ky hap mund të shihet si një veprim me peshë kryesisht politike dhe simbolike, ai mbart një mesazh të rëndësishëm. Në aspektin politik, ky vendim pasqyron qartë pozicionimin ndërkombëtar të Kosovës. Ky është një tregues i qartë se Kosova, me politikat e saj, është në linjë me SHBA-në e cila në vazhdimësi angazhohet për ruajtjen e paqes botërore, sigurinë globale dhe luftën kundër terrorizmit”, deklaron Berisha.

Ai kërkon që orientimi strategjik i Kosovës të mbetet i pandryshuar, gjersa shton se edhe pse vendim simbolik ai e forcon pozicionin e Kosovës në boshtin perëndimor të sigurisë.

Kosova, pavarësisht ndikimit të mundshëm në marrëdhëniet me vendet pro-iraniane, si disa shtete në Lindjen e Mesme, Azi apo Afrikë, duhet të vazhdojë të qëndrojë përkrah aleatëve të saj strategjikë. Është e njohur se Kosova nuk ka marrëdhënie të forta me shumicën e këtyre vendeve, por edhe në rast se do të kishte, orientimi i saj strategjik duhet të mbetet i pandryshuar, në përputhje me partneritetin me SHBA-në dhe Israel-in. Prandaj ky vendim, edhe pse në dukje është simbolik, mendoj se e forcon pozicionin e Kosovës në boshtin perëndimor të sigurisë dhe e konsolidon atë si një shtet të besueshëm dhe partner të përkushtuar në përballje me sfidat globale të sigurisë”, përfundon eksperti.

Irani, me një popullsi prej mbi 91 milionë banorësh, nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me vendin.

Futja e një grupi apo organizate në listën e zezë nënkupton zakonisht ngrirje asetesh së saj në atë vend dhe regjim vizash për udhëheqësit dhe zyrtarët e saj.

Të Ngjashme