Lajme

Osmani: Epopeja e Dukagjinit është kujtesë dhe testament i sakrificës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përkujtoi sot me nderim dhe përulje 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, duke e cilësuar atë kujtesë dhe testament i sakrificës, guximit dhe vendosmërisë për liri.

Në postimin e saj, Osmani kujtoi se më 24 mars 1998, në Gllogjan, Ushtria Çlirimtare e Kosovës zhvilloi betejën frontale në këtë zonë, duke u përballur me forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë. Ajo theksoi se forcat serbe kishin rrethuar fshatin dhe veçanërisht familjen Haradinaj, e cila u bë simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri.

“Ne kujtojmë me respekt 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës sonë për liri. Në atë ditë të lavdishme ranë për liri dëshmorët Him Haradinaj, Gazmend dhe Agron Mehmetaj, duke u bërë përjetësisht pjesë e historisë sonë kombëtare”, shkroi Presidentja.

 

Ajo shtoi se Epopeja e Dukagjinit mbetet frymëzim i përhershëm për brezat e rinj për të ruajtur dhe forcuar shtetin, i ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve, duke përfunduar: “Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri!”.

Të Ngjashme