Lajme

Osmani falënderon Sven Lange për kontributin në bashkëpunimin Kosovë–NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim drejtorin në largim të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Sven Lange, si dhe përfaqësuesen e NATO-s, Blanca Hereza Atienza.

Sipas njoftimit nga Presidenca, gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe NATO-s, si dhe për rolin e aleancës në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vend.

Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje për angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë dhe për kontributin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në zhvillimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes.

Ajo theksoi se mbështetja e këtij ekipi ka ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke forcuar kapacitetet profesionale dhe institucionale të saj.

Gjatë takimit, Osmani vlerësoi edhe punën e Sven Lange, i cili po përmbyll mandatin njëvjeçar si drejtor i NALT-it, duke e falënderuar për kontributin e dhënë në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.

Në fund, presidentja ritheksoi përkushtimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet, si dhe për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, përfshirë NATO-n.

Të Ngjashme