Ditë më parë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me kryediplomatin amerikan, Marco Rubio, në Departamentin amerikan të Shtetit.
Osmani tha se me sekretarin amerikan të Shtetit ka diskutuar për mundësitë e forcimit të “aleancës sonë si dhe si dhe hapat konkretë në këtë drejtim që kanë rëndësi jetike për popullin tonë”.
“Në veçanti, e falënderova për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen vendimtare amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për prezencën ushtarake amerikane në Kosovë si prezencë kyç për paqen e stabilitetin në rajon. Diskutuam për rëndësinë e madhe të anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit në ekonomi e mbrojtje, si pjesë e partneritetit tonë strategjik”, tha Osmani përmes një postimi në Facebook.
Ndërsa, Departamenti i Shtetit njoftoi më vonë në një komunikatë se Rubio i falënderoi Osmanin dhe popullin e Kosovës për kontributin e vendit të tyre në Bordin e Paqes si anëtare themeluese dhe pjesë e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gazë.
Takimi Ruboi-Osmani u zhvillua në një moment të ndjeshëm për zhvillimet rajonale dhe raportet ndërkombëtare. Takimi, i cilësuar si një hap drejt forcimit të aleancës strategjike mes dy vendeve, erdhi në një kohë kur Kosova synon të konsolidojë pozicionin e saj ndërkombëtar dhe të sigurojë mbështetje të vazhdueshme nga partneri i saj kryesor.
Deklaratat për “hapa konkretë” dhe për thellimin e bashkëpunimit kanë ngritur pritshmëri për efekte të prekshme në diplomacinë dhe sigurinë e vendit. Por sa peshë reale ka ky takim për Kosovën dhe çfarë mesazhesh dërgon ai për raportet me SHBA-në dhe për të ardhmen e politikës së jashtme të shtetit?
Koci: Takimi Rubio – Osmani është i një rëndësie të jashtëzakonshme
E për këtë temë për “Bota sot” foli Melazim Koci, i cili fillimisht u shpreh se takimi Osmano-Rubio ka një rëndësi të madhe.
Sipas tij, ky takim dëshmoi që SHBA ende e ka në agjendë Kosovën dhe kështu hedh poshtë pretendimet që kanë qarkulluar se Trump nuk do e ketë shtetin tonë në fokus.

Melazim Koci
Krahas kësaj, Koci vlerëson se Osmani e ka prezantuar mjaft mirë Kosovën në arenën ndërkombëtare, më saktë në SHBA.
“Takimi Rubio – Osmani është i një rëndësie të jashtëzakonshme. Ai sërish dëshmoi që Kosova është në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-ve. Pohimet e disave që me largimin e Presidentit Biden dhe ardhjen e Presidentit Trump, Kosova nuk do të jetë në fokusin e politikës së jashtme amerikane, janë treguar të huqura. Ftesa e Presidentit Trump që Kosova të jetë anëtare e “Bordit të Paqes”, ka bërë që Kosova të shënojë suksesin më të madh në politikën e jashtme nga shpallja e pavarësisë.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani e ka prezantuar shumë mirë Kosovën në Davos dhe Uashington. Pavarësisht kësaj, prania e Kosovës në “Bordin e Paqes” nuk është meritë e askujt në Kosovë, por përkushtim i SHBA-ve për ta avancuar Kosovën në rrafshin ndërkombëtar”, shtjelloi ai.
Gjithashtu, Koci foli edhe për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, derisa tha se me këtë veprim SHBA e ka priviligjuar shtetin tonë, pasi në këtë Bord nuk janë ftuar Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Mali i Zi.
“Me anëtarësimin në “Bordin e Paqes”, SHBA e ka bërë të ditur se Kosovën e konsideron shtet funksional dhe demokratik, se e konsideron partner strategjik në Ballkan dhe se Kosova duhet të përfshihet në të gjitha nivelet ndërkombëtare.
Duke e bërë anëtare të “Bordit të Paqes”, SHBA kanë privilegjuar Kosovën, sepse në këtë Bord nuk janë ftuar Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Mali i Zi.
Nga ana tjetër, dërgimi i pjesëtarëve të FSK-së në Gaza, e bën Kosovën eksportuese të sigurisë dhe e afron me NATO-n”, përfundoi Melazim Koci për “Bota sot”.
“Së fundmi vërehet një interesim më i madh amerikan për Kosovën”
E për këtë temë, për “Bota sot” foli edhe publicisti Lis Bukuroca, i cili vlerësoi takimet e Osmanit në SHBA, derisa potencoi se janë të një rëndësie të madhe.
Po ashtu, sipas tij presidentja e Kosovës ka bërë punë të mira gjatë mandatit të saj të parë, për këtë vlerëson se meriton edhe një mandat tjetër.

Lis Bukuroca
“Të gjitha takimet e presidentes Vjosa Osmani janë takime të rëndësishme për shtetin e Kosovës dhe për konsolidimin e tij ndërkombëtar. Takimi me ish-presidentin amerikan Donald Trump dhe takimi me sekretarin e shtetit Mark Rubio janë dy takime që do t’i dëshironin edhe shumë shtete të tjera, por që jo të gjitha i kanë pasur.
Vjosa Osmani ka bërë një punë shumë të mirë gjatë katër viteve të fundit dhe, sipas mendimit tim, e meriton të zgjidhet edhe një herë. Aktualisht nuk shoh një personalitet tjetër me përgatitje, seriozitet dhe përfaqësim më të denjë për këtë pozitë”.
Më tej, Bukuroca vlerëson se ka një interesim të shtuar amerikan për Kosovën kohët e fundit, e që sipas tij ky është zhvillim pozitiv për vendin tonë.
“Vetë gatishmëria e Trumpit për komunikim të drejtpërdrejtë me Kosovën është një sinjal shumë i rëndësishëm politik dhe diplomatik. Po ashtu, takimi me Mark Rubion dhe mesazhet e dhëna aty kanë peshën e tyre dhe janë me rëndësi jo vetëm për Kosovën, por edhe për shqiptarët në rajon.
Së fundmi vërehet një interesim më i madh amerikan për Kosovën, si dhe një ndryshim i qëndrimit të Trumpit krahasuar me periudhat e mëhershme. Ky zhvillim është pozitiv dhe inkurajues për vendin tonë”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, publicisti kërkoi nga partitë politike, që Osmanib tërizgjedheni sërish presidente të Kosovës, duke lënë anash inatet e tyre.
Ai beson se me paraqitjet e saj Osmani, ka arritur të formojë një kredibilitet të madh në arenën ndërkombëtare.
“Unë mendoj se Vjosa Osmani e meriton rizgjedhjen dhe se partitë politike duhet të veprojnë në interes të shtetit, e jo mbi baza të ngushta partiake.
Presidenca është një post shumë serioz dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm, që kërkon përfaqësim dinjitoz dhe kontakte të fuqishme ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Vjosa Osmani ka ndërtuar një rrjet dhe një kredibilitet të konsiderueshëm jashtë vendit, të cilat janë me vlerë për Kosovën”, përfundoi Lis Bukuroca për “Bota sot”.
