Lajme

Osmani: Kosova do ta vazhdojë bashkëpunimin me SHBA-të, me këdo që i fiton zgjedhjet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat po mbahen sot.

Ajo ka thënë se bashkëpunimi i Kosovës me SHBA-të do të vazhdojë pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet.

Osmani ka theksuar se Kosova ka qenë e bekuar, pasi ka pasur përkrahje edhe nga republikanët, poashtu edhe nga demokratët.

“E kemi fituar lirinë kur në qeverisje kanë qenë demokratët, derisa kur kemi fituar pavarësinë në qeveri kanë qenë republikanët. Pra, Kosova vërtetë ka qenë shtet i bekuar me përkrahje bipartizane (dypartiake) amerikane.

Është vendim i popullit amerikan, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me këdo që do të zgjidhet. Me rëndësi është që SHBA-të vazhdojnë të jenë lider të botës së lirë dhe aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës. Ashtu do të vazhdojë të jetë edhe pas kësaj date”, ka thënë Osmani.

Këtë deklaratë, ajo i ka dhënë para gazetarëve, pas pjesëmarrjes në lansimin e raportit të UNICEF-it mbi gjendjen klimatike për fëmijët në Prishtinë.