Lajme

Osmani: Kosova do të mbetet gjithmonë mirënjohëse ndaj SHBA-së

Presidentja Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova do të mbetet gjithmonë mirënjohëse ndaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e palëkundur në të gjitha etapat e saj.

Këtë deklaratë ajo e bëri gjatë takimit lamtumirës me komandantin në largim të Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it, kolonelin Jonathan Lloyd nga Garda Kombëtare e Louisianës, si dhe me pasuesin e tij, kolonelin Sam Sargeant.

Gjatë takimit, presidentja Osmani e falënderoi kolonelin Lloyd për shërbimin dhe përkushtimin e tij gjatë mandatit në Kosovë, duke vlerësuar lart kontributin e tij në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon. Në shenjë mirënjohjeje, ajo i ndau atij një mirënjohje për angazhimin e çmuar.

Më tej, presidentja i uroi mirëseardhje kolonelit Sargeant, duke e siguruar për mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e mandatit të tij dhe të misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO.

Osmani shprehu mirënjohjen e thellë, në emër të popullit të Kosovës, për vazhdimin e pranisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në vend si pjesë e misionit të KFOR-it, duke theksuar se kjo prani është jetike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

Të Ngjashme