Lajme

​Osmani: Kosova mishëron vlerat që janë në themel të organizatës së Frankofonisë

Presidentja Vjosa Osmani ka marrë pjesë sot në seancën plenare të Samitit të Krerëve të Shteteve të Frankofonisë, ku ndër tjera ka theksuar se Kosova mishëron vlerat që janë në themel të kësaj organizate.

“Në seancën plenare të Samitit të Krerëve të Shteteve të Frankofonisë, theksova se Kosova mishëron vlerat që janë në themel të kësaj organizate: bashkëpunimin për promovimin e paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Në përpjekjet tona jo vetëm për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, por edhe për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, bashkëpunimi me partnerët tanë në Frankofoni është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Osmani ndodhet në Paris me ftesë të presidentit Emmanuel Macron dhe Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Gjatë qëndrimit në Paris, Osmani do të takojë edhe homologë të saj. Presidentja dhe Zotëriu i Parë janë ftuar në darkën zyrtare të shtruar nga presidenti Macron në Pallatin Élysée, në drekën zyrtare të shtruar nga Sekretarja e Përgjithshme e Frankofonisë, si dhe në një sërë aktivitetesh përcjellëse në kuadër të Samitit.

Ky samit mbledh krerët e shteteve anëtare, anëtarë të asociuar, anëtarë vëzhgues, përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe të ftuar të tjerë.