Opinione

Osmani në Bordin e Paqes: Sinjali amerikan që lëkund skenën politike e ndërkombëtare

Pjesëmarrja e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, si njëra prej 19 nënshkruesve të Bordit të Paqes, është një zhvillim me rëndësi të veçantë në kontekstin politik dhe diplomatik të vendit.

Ky Bord, i themeluar nga presidenti amerikan Donald Trump për të mbështetur rindërtimin e Gazës pas luftës dyvjeçare, nuk është thjesht një mekanizëm humanitar, por edhe një platformë e fuqishme ndërkombëtare që lidh udhëheqës nga shtete të ndryshme për të koordinuar përpjekjet për paqe dhe stabilitet.

Për Kosovën, një shtet ende në proces të afirmimit të rolit të saj në skenën globale, angazhimi i presidentes Osmani në një strukturë të tillë nuk përfaqëson vetëm një mundësi për të kontribuar në çështje humanitare ndërkombëtare, por edhe një shans strategjik për të afirmuar diplomacinë e saj aktive dhe për të forcuar pozicionin e vendit në raport me fuqitë globale, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky angazhim dërgon një mesazh të qartë: Kosova aspiron të jetë pjesë e zgjidhjeve ndërkombëtare dhe të kontribuojë në paqen globale, duke treguar aftësinë e saj për të marrë pjesë në dialogjet strategjike dhe për të ndikuar në vendimet që formësojnë stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar.

Në këtë mënyrë, pjesëmarrja e presidentes Osmani mund të shërbejë si katalizator për rritjen e profilit ndërkombëtar të Kosovës, duke hapur mundësi të reja për bashkëpunim diplomatik dhe forcimin e lidhjeve me SHBA-në, një partner kyç në konsolidimin e sovranitetit dhe integritetit të shtetit tonë.

Aliçkaj: Anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes e fuqizon shtetësinë

E për këtë çështje për “Bota sot” foli i drejtori ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Agim Aliçkaj.

Fillimisht, ai vlerëson se pjesëmarrja e presidentes Osmani në Bordin e Paqes së organizuar nga presidenti Trum, është shumë e rëndësishmë dhe jep sinjal të qartë se SHBA dhe Kosova janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

“Bordi i Paqes është një organizatë ndërkombëtare e propozuar nga Presidenti Trump në vitin 2025 dhe e themeluar formalisht në janar të vitit 2026 për të promovuar paqen, stabilitetin dhe rikthimin e sundimit të ligjit në zonat e konfliktit, fillimisht në Gaza pas luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

Pjesëmarrja e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është e jashtëzakonshme dhe ka rëndësi të shumëfishtë për të dhe për Republikën e Kosovës.

Amerika dhe Kosova janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Si kontribuuesja kryesore në shpëtimin e popullit të Kosovës dhe në shpalljen e pavarësisë së saj, Amerika konfirmon se është e interesuar ta shohë Kosovën duke u zhvilluar me sukses dhe se ajo bën pjesë në interesat strategjike afatgjata të SHBA-së”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Aliçkaj potencoi se, kjo pjesëmarrje e ngrit Kosovën dhe rolin e saj në skenën ndërkombëtare.

Madje, e sheh si mundësi të mirë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Ftesa tregon besim në Presidenten Osmani dhe në vetë shtetin e Kosovës. Kjo lidhet drejtpërdrejt me arritjet e jashtëzakonshme të qeverisjes së Kryeministrit Kurti në konsolidimin e shtetit, sidomos me çlirimin e Veriut nga bandat serbe, me qetësimin e Veriut dhe stabilizimin e Kosovës.

Pjesëmarrja në mënyrë të barabartë me shumë shtete të tjera e afirmon shtetin e Kosovës, e fuqizon pavarësinë e saj dhe i shton mundësitë për t’u inkuadruar në organizata të tjera ndërkombëtare.

Kosova ka qenë vetë viktimë e agresionit serb dhe kontributi i saj për promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajonet e konfliktit në botë është shumë i vlefshëm”.

Image
Agim Aliçkaj

Më tej, këtë çësthtje e ndërlidhi edhe me mundësinë e rzigjedhjes së Osmanit për një mandat të ri si presidente.

Sipas tij, edhe administrata amerikane është e interesuar që të rizgjidhet Osmani si presidente.

“Ftesa personale e Presidentes Osmani para nominimit të saj për rizgjedhje është një shenjë e qartë se Administrata Trump është e interesuar që ajo të rizgjedhet. Ajo, me aftësitë e saj, ka arritur të afirmohet fuqishëm në nivel ndërkombëtar. Kundërshtarët e ndryshëm duhet të mendojnë mirë nëse tentojnë ta bllokojnë rizgjedhjen e saj.

Kritikat se Presidentja është dashur ta vonojë përgjigjen dhe pjesëmarrjen për të bërë konsultime janë plotësisht të pabazuara. Nënvlerësimi i pjesëmarrjes është shumë i gabuar, por edhe mbivlerësimi po ashtu. Tendencat për ta shpallur një ngjarje të caktuar ndërkombëtare si vendimtare për të ardhmen e Kosovës janë të ekzagjeruara”, shpjegoi Aliçkaj.

Ndër të tjera, drejtori i LQSHA-së konsideroi se Kosova duhet të jetë e kënaqur me lëvizjet që SHBA ka bërë në drejtim të shtetit tonë.

“Marrëdhënia me Amerikën është një proces që kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe punë të palodhur.

Megjithatë, Republika e Kosovës dhe kombi shqiptar kanë arsye të plota për të qenë të kënaqur me lëvizjet dhe aktivitetet e shumta pozitive në Kongresin Amerikan dhe në administratën e Presidentit Trump. Forcimi i marrëdhënieve Kosovë–SHBA po vazhdon me sukses, ndërsa marrëdhëniet e Serbisë janë në rënie të lirë.

Republika e Kosovës është në rrugë të drejtë të zhvillimit të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit”, përfundoi Agim Aliçkaj për “Bota sot”.

Gacaferi: Kosova është partnere e besueshme e Perëndimit, veçanërisht e SHBA-së

Ndërsa, anëtari i Guxo, Luan Gacaferi foli më gjerësisht për rëndësinë e kësaj pjesëmarrje të presidentes Osmani në nivelin politik e diplomatik.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se kjo gjë e vendos Kosovën në rolin e shtetit që kontribuon në zgjidhje të çështjeve ndërkombëtare.

“Nga këndvështrimi diplomatik, kjo pjesëmarrje:

E pozicionon Kosovën si kontribuese në agjenda globale, jo vetëm si përfituese e mbështetjes ndërkombëtare.

Tregon se presidentja Osmani perceptohet si aktor kredibil dhe i besueshëm, i aftë të marrë pjesë në iniciativa që lidhen me paqen, stabilitetin dhe rindërtimin.

I jep Kosovës dukshmëri në një forum ku zakonisht marrin pjesë shtete të mëdha ose figura me ndikim global, çka është e rëndësishme për një shtet relativisht të ri.

Në aspektin simbolik, kjo përfshirje e nxjerr Kosovën nga roli tradicional i “vendit të pasluftës” dhe e vendos në rolin e shtetit që kontribuon në zgjidhje ndërkombëtare”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Gacaferi shtjelloi edhe mesazhin që u përcoll në arenën ndërkombëtare, derisa nënvizoi faktin se Kosova është partnere e besueshme e SHBA-së dhe shteteve ndërkombëtare.

Image
Luan Gacaferi

“Mesazhi që dërgon për rolin e Kosovës në arenën ndërkombëtare

Ky angazhim dërgon disa mesazhe të qarta:

Kosova është partnere e besueshme e Perëndimit, veçanërisht e SHBA-ve.

Ajo dëshiron të jetë pjesë e arkitekturës globale të paqes dhe stabilitetit.

Ka kapacitet politik dhe diplomatik për të qenë e pranishme në tryeza të rëndësishme, edhe përtej Ballkanit”.

Në fund, ai foli edhe për atë se si shfaqet Kosova në sytë e shteteve që nuk e kanë njohur ende.

“Për vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën, kjo lloj pjesëmarrjeje ndihmon në:

normalizimin e rolit të Kosovës si shtet,

rritjen e perceptimit se ajo është faktor stabiliteti, jo burim krize”, përmbylli Luan Gacaferi për “Bota sot”.

Të Ngjashme