Lajme

Osmani nuk do të nënshkruajë dekrete për shtetësi deri në fund të mandatit

Kosova parasheh me ligj dhënien e shtetësisë me dekret për persona me kontribut të veçantë për vendin. Megjithatë, nga Presidenca është bërë e ditur se presidentja Vjosa Osmani nuk do të nënshkruajë asnjë dekret të ri për shtetësi, deri në përfundim të mandatit të saj, ndërsa çdo kërkesë eventuale do të trajtohet nga presidenti i ardhshëm.

Me kompetencë kushtetuese, presidentja mund t’u japë shtetësinë atyre që vlerësohet se kanë ndikim të rëndësishëm në interes të shtetit, ekonomisë, sportit, kulturës apo në fushën profesionale.

Megjithatë, asnjë person me shtetësi të huaj nuk do ta marrë këtë shtetësi nga presidentja Vjosa Osmani.

Nga kabineti i presidentes është konfirmuar se çdo kërkesë e tillë do të trajtohet nga presidenti i ardhshëm.

 “Çdo kërkesë që mund të ketë ardhur sivjet, do të duhet të trajtohet nga presidenti i ardhshëm. Presidentja e ka njoftuar tashmë administratën që nuk do të shqyrtojë asnjë kërkesë të re për shtetësi dhe se nuk planifikon të nënshkruajë dekrete të reja”,  kanë thënë nga  Kabineti i Presidentes.

 Megjithëkëtë për plotësimin e kushteve ligjore për shtetësi me dekret, e vlerëson Presidenca , nëse një person mund të fitoj shtetësinë.

Për të fituar shtetësinë përmes dekretit duhet të plotësohen disa kushte ligjore. Shtetësia jepet vetëm atyre që janë të rëndësishëm për republikën e Kosovës dhe kontribuojnë në kulturë, sport, shkencë, ose në përgjithësi si persona me arritje të veçanta. Nuk jepet automatikisht, kërkohet një institucion kërkues që i drejtohet presidentit, dhe më pas është në diskrecion të plotë të presidentit nëse do ta japë dekreti”, tha Artan Qerkini, avokat.

 Iintegriteti i personave që kërkojnë shtetësi përmes dekretit të presidentit, vlerësohet edhe nga organet e sigurisë.

 “Këtu duhet të përfshihen institucionet e sigurisë. Mirëpo, ato nuk shqyrtojnë kushtet ligjore, por roli i tyre është të vlerësojnë nëse personi paraqet rrezik për Republikën e Kosovës. Nëse konstatohet se nuk ka rrezik, presidenti vlerëson plotësimin e kushteve ligjore” , tha Qerkini.

Në Kosovë, ndër vite, shtetësinë me dekret e kanë fituar personalitete që mund të afirmojnë vendin, përfshirë edhe shkrimtarin shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare.

Të Ngjashme