Lajme

Osmani priti Drejtorin e NALT-it dhe përfaqësuesen e NATO-s

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Dr. Sven Lange, si dhe Përfaqësuesen e NATO-s, znj. Blanca Hereza Atienza

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti dje në takim drejtorin në largim të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Dr. Sven Lange, si dhe Ud. Shefen e Operacioneve Aktuale në Stafin Ndërkombëtar, Divizioni i Operacioneve në Selinë e NATO-s, znj. Blanca Hereza Atienza.

Gjatë takimit, Presidentja shprehu mirënjohjen e thellë për angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë. Ajo vlerësoi po ashtu mbështetjen e rëndësishme të NALT-it në zhvillimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes së Kosovës, sidomos në zhvillimin dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar se ky bashkëpunim ka ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të vendit.

Presidentja vlerësoi në mënyrë të veçantë punën dhe përkushtimin e gjeneral brigade Dr. Sven Lange, i cili po e përmbyll me sukses mandatin e tij njëvjeçar si Drejtor i NALT-it. Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, ajo e falënderoi atë për kontributin e çmuar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.

Presidentja ritheksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe, stabilitet dhe vlerat euroatlantike, si dhe për integrimin në NATO.

Të Ngjashme