Lajme

Osmani shpërndan Kuvendin pas dështimit për zgjedhjen e presidentit, vendi shkon në zgjedhje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë të premten dekretin për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Në një konferencë për media, Osmani tha se dështimi i deputetëve të enjten mbrëma për të zgjedhur presidentin e vendit ka sjellë këtë situatë.

“Sot në përputhje me Kushtetutën kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Në një republikë kushtetuese ka diçka që është mbipartiake, është Kushtetuta e vendit”, tha Osmani.

Ajo theksoi se kjo situatë ka qenë e shmangshme.

“Jam para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën ta dërgojnë vendin në zgjedhje. Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe për këtë shtet që ata nuk zgjodhën interesin e Republikës”, u shpreh presidentja.

Procesi për zgjedhjen e presidentit u ndërpre në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes vonë në Kuvend, vetëm pak orë para skadimit të afatit kushtetues, për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm.

Në sallë kanë qenë të pranishëm 66 deputetë të koalicionit qeverisës, ndërsa deputetët e opozitës kanë munguar. Për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota në dy raundet e para të votimit dhe të paktën 61 vota në raundin e tretë.

Pas ndërprerjes së seancës, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se procesi nuk mund të vazhdojë për shkak të mungesës së kuorumit.

“Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë në këtë seancë u bëra apel deputetëve që mungojnë të vijnë dhe të jenë të pranishëm në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Haxhiu.

Ajo njoftoi se i është drejtuar menjëherë Gjykata Kushtetuese e Kosovës me kërkesë për pezullimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

Ndërkohë, edhe Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e kushtetueshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit.

Të Ngjashme