Lajme

​Osmani -yjeve të Kosovës: Ju do të mbeteni në piedestalin më të lartë të Republikës sonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar Kombëtaren e Kosovës në futboll me Medaljen Presidenciale të Meritave, në një ceremoni të mbajtur një ditë pas ndeshjes së “play-off”-it ndaj Turqisë, e cila përfundoi me rezultat 0:1.

Në fjalën e saj, Osmani theksoi se, pavarësisht humbjes dhe moskualifikimit në Kupën e Botës, Kombëtarja mbetet një ndër përfaqësimet më dinjitoze të shtetit në arenën ndërkombëtare. Ajo vlerësoi lart kontributin e futbollistëve, duke e cilësuar rrugëtimin e tyre si frymëzim për brezat e rinj dhe si pjesë të rëndësishme të historisë sportive të vendit.

Osmani: Ju do të mbeteni në piedestalin më të lartë të Republikës sonë

Pavarësisht rezultatit, ju do të mbeteni në piedestalin më të lartë të Republikës sonë për krenarinë që i keni dhuruar popullit tonë. Prandaj, në emër të shtetit dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju falënderojmë për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për vendin tonë. Kontributi juaj është pjesë e pandashme e historisë sonë sportive dhe, mbi të gjitha, frymëzim i fuqishëm për brezat që vijnë. Në bazë të kompetencave të mia kushtetuese si Presidente e Republikës së Kosovës, kam vendosur që Kombëtaren e Republikës në Futboll ta dekoroj me Medaljen Presidenciale të Meritave, me motivacionin: Për përfaqësim dinjitoz të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare; Për krenarinë që i kanë dhënë shtetit tonë; Si dhe për arritjen në fazën finale të kualifikimeve për Kampionatin Botëror” – tha presidentja Osmani.

Ndërkohë, kapiteni i Kosovës, Vedat Muriqi, u shpreh krenar për përfaqësimin e vendit dhe falënderoi institucionet dhe tifozët për mbështetjen. Ai pranoi se humbja ishte një goditje e rëndë për skuadrën, por theksoi se ekipi ka potencial të madh dhe një të ardhme të ndritur.

Muriqi: Shpresoj që takimin e radhës ta kemi për një kualifikim në Evropian ose Botëror

“Unë jam shumë krenar me veten që jam pjesë e stafit të Kosovës. Si kapiten i Kosovës, kisha pasur shumë dëshirë me e udhëheq ekipin në Amerikë, por ndonjëherë fati nuk të përcjell. Kështu që, ju falënderoj të gjithëve, në emër të ekipit, edhe shpresoj që takimin e radhës ta kemi për një kualifikim në Evropian ose Botëror” – deklaroi Muriqi

Ceremonia e dekorimit vjen si një vlerësim për paraqitjet dhe përkushtimin e Kombëtares së Kosovës, e cila ishte shumë pranë një kualifikimi historik, duke lënë gjurmë të rëndësishme në skenën ndërkombëtare të futbollit.

Të Ngjashme