Lajme

OVL e UÇK-së reagon për tokën e Manastirit të Deçanit

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtria Çlirimtare e Kosovës (OVL) ka reaguar pas deklaratave të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, lidhur me mënyrën se si është marrë vendimi për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastiri i Deçanit.

Në reagimin e tyre, veteranët thonë se deklaratat sipas të cilave kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka bërë këtë veprim “për hatër” të ministrit, tregojnë – sipas tyre – fytyrën e vërtetë të pushtetit dhe orientimin e tij kundër interesave të qytetarëve të Kosovës.

Sipas OVL-së, zhvillimet e fundit janë të papranueshme dhe përbëjnë lojëra me pronën dhe territorin e Kosovës.

“Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së shprehin kundërshtim të ashpër ndaj lojërave me pronën dhe territorin e Kosovës, që ky pushtet po i bën në shërbim të kapriçove dhe favoreve personale”, thuhet në reagim.

Veteranët theksojnë gjithashtu se çdo tentativë për ta relativizuar këtë çështje e thellon, sipas tyre, shkeljen e dinjitetit dhe ofendimin e sakrificës së popullit shqiptar dhe të të rënëve për liri.

Debati për tokën e Manastirit të Deçanit është rikthyer në qendër të diskutimit publik pas deklaratave të ministrit Rashiq për mënyrën se si është marrë vendimi për regjistrimin e pronës prej 24 hektarësh në emër të manastirit.

Të Ngjashme