Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka dënuar ashpër përpjekjen e Serbisë për të lartësuar ish-komandantin serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq, duke e kthyer varrimin e tij në një akt nderimi shtetëror.
Në reagimin e saj, OVL-UÇK e cilëson këtë veprim si një përpjekje të turpshme për rehabilitimin e një figure të dënuar për krime lufte, duke theksuar se një qasje e tillë është fyese për viktimat e luftës dhe familjet e tyre.
“Kurorëzimi i një krimineli të dënuar lufte si hero kombëtar fyen çdo viktimë të tij dhe rehabiliton hapur ideologjinë që prodhoi gjenocid”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Sipas organizatës, Beogradi vazhdon të refuzojë përballjen me të kaluarën e tij, ndërsa, në vend të distancimit nga krimet e luftës, ushqen ideologjinë që, sipas OVL-UÇK-së, çoi në masakra, dëbime dhe varreza masive.
“Beogradi sërish refuzon të përballet me të kaluarën e vet kriminale. Përkundrazi, vazhdon ta ushqejë po atë ideologji që shkaktoi masakrat, dëbimet dhe varrezat masive. Kjo sjellje kërcënon drejtpërdrejt paqen rajonale”, thuhet më tej në reagim.
Në fund, OVL-UÇK thekson se kujtimi dhe dinjiteti i viktimave nuk mund të jenë objekt kompromisi.
“Kujtimi dhe dinjiteti i viktimave nuk negociohen. As tani, as kurrë”, përfundon reagimi./teve1.info/
