Kryesuesi i delegacionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Iulian Bulai, ka prezantuar gjetjet paraprake pas vëzhgimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë, të mbajtura për herë të tretë brenda më pak se 16 muajve.
Delegacioni shtatëanëtarësh i PACE-s, i cili ishte i vetmi mision ndërkombëtar që vëzhgoi ditën e zgjedhjeve, vlerësoi se procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë të rregullt dhe pa incidente madhore, ndonëse u karakterizua nga lodhja dhe zhgënjimi i votuesve.
Ai tha se megjithëse procesi i votimit ishte i qetë dhe profesional, rënia e pjesëmarrjes së votuesve duhet të merret seriozisht.
“Megjithatë, në një vend me histori të pjesëmarrjes së lartë në votime, rënia e ndjeshme e pjesëmarrjes së votuesve duhet të shërbejë si një alarm serioz. Në numrin e kufizuar të qendrave të votimit që vëzhguam, delegacioni konstatoi se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe profesionale”, u shpreh Bulai.
PACE ngriti shqetësime edhe për votimin nga diaspora, përdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatës dhe dezinformimin në internet.
“Një numër rekord i votuesve nga diaspora u regjistrua për këto zgjedhje. Megjithatë, vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që lejuan votimin me dokumente identifikimi të skaduara, si dhe tërheqja e mëvonshme e këtij vendimi vetëm pak ditë para zgjedhjeve, shkaktuan konfuzion. Për pasojë, KQZ-ja u detyrua të aplikojë verifikime shtesë për fletëvotimet e ardhura me postë pas pranimit të tyre në Prishtinë”, tregoi Bulai.
Ai foli edhe për ndërhyrje të jashtme dhe nevojën për dialog politik pas zgjedhjeve.
“Po ashtu, u vu re ndërhyrje nga Serbia me qëllim ndikimin e votës së serbëve të Kosovës në favor të një partie të caktuar. Veçanërisht shqetësues ishte fakti se këto forma të dezinformimit dhe abuzimit online shpesh kishin në shënjestër gratë politikane, duke cenuar aftësinë e tyre për të bërë fushatë dhe për të marrë pjesë në jetën publike. Delegacioni u bën thirrje të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur që të angazhohen në një dialog vërtet konstruktiv, të arrijnë kompromiset e nevojshme për zgjedhjen e shpejtë të presidentit dhe të avancojnë procesin demokratik të vendit. Votuesit e Kosovës e kanë shprehur qartë vullnetin e tyre. Tani ata presin që përfaqësuesit e zgjedhur të tregojnë udhëheqje vendimtare, të kërkojnë kompromise konstruktive dhe ta çojnë vendin përpara në rrugën e tij euro-atlantike, duke i dhënë fund lojërave cinike politike. Demokracia kërkon kompromis dhe ndërtim koalicionesh, jo fitore ku njëra palë fiton gjithçka dhe tjetra humb gjithçka”, tregoi ai.
Në përmbyllje, Bulai përgëzoi qytetarët e Kosovës për përkushtimin ndaj demokracisë dhe u bëri thirrje liderëve politikë të ndërmarrin hapa konkretë për tejkalimin e bllokadave institucionale.
