Lajme

Pacolli: Askush nuk mund të nxjerrë gurë nga toka e Kosovës pa pasur leje

Kompanitë e gurthyesve në vend, përgjatë një afati 15 ditor, duhet t’i nënshtrohen verifikimit të licencës për punë. Një vendim i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, i obligon të gjitha kompanitë e gurthyesve, në departamentin përkatës, t’i dorëzojnë për verifikim të licencës së punës lejen mjedisore të vlefshme, pëlqimin mjedisor, planin e menaxhimit dhe rehabilitimit mjedisor dhe të gjitha licencat nga organet kompetente.

“Janë mbi 200 operatorë të cilët operojnë në Kosovë, mirëpo ka edhe të tjerë që punojnë pa asnjë leje apo regjistër, prandaj kjo kërkesë publike dhe me një vendim të tillë është që t’i ftojmë edhe të tjerët që nuk janë të regjistruar, që të paraqiten. Ligjshmëria është shumë e rëndësishme nuk mundet askush nuk mund të operojë e të nxjerrë gurë nga toka e Kosovës pa pasur leje”, tha Fitore Pacolli, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Me këtë vendim dikasteri mjedisor synon ruajtjen e mjedisit, në veçanti malet  dhe lumenjtë ku kryesisht operojnë operatorët ekonomikë të gurthyesve.

 “Në raste të tjera kur shkelja është më e vogël dhe mund të pranohet si shkelje që nuk ka bërë dëm të madh atëherë janë vërejtje që shkojnë prej inspektorëve, nëse këto janë kompetenca të inspektoratit. Në rastin kur shkelja është  e rëndë kur nuk kemi asnjë dokument, asnjë leje të lëshuar nga institucionet përkatëse, operon komplet në mënyrë ilegale, atëherë hapi që do të duhej të merrej, që inspektorët do të duhej të vendosnin është që të mbyllet komplet”, tha Pacolli.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit të dorëzuar,  inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të dalin në terren për t’i identifikuar kompanitë gurthyese që  nuk i  përfillin kriteret e ruajtjes së mjedisit.

Të Ngjashme