Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ministrja në detyrë, Fitore Pacolli, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës dhe veprimeve të opozitës, duke kritikuar ashpër protestën dhe hedhjen e vezëve ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka deklaruar se kundërshtarët politikë të Kurtit, sipas saj, nuk e dinë arsyen e protestës dhe po veprojnë në kundërshtim me interesat e shtetit.
Ajo ka bërë edhe një krahasim me protestat e së kaluarës, duke thënë se ato të organizuara nga Vetëvendosje kishin qëllime të ndryshme nga protestat e sotme të opozitës.
Postim i plotë:
Të shkretët, nuk dinë as kur e as për çfarë protestojnë!
Gjuajnë me vezë Albin Kurtin, pikërisht njeriun që e shtriu sovranitetin në çdo cep të Republikës dhe e çliroi veriun nga bandat e dirigjuara nga Beogradi.
E sot, në vend se të mbrojnë interesin e shtetit, rreshtohen në të njëjtën linjë me Listën Serbe për të bllokuar institucionet.
Dallimi është i qartë, ne protestonim për të mbrojtur territorin e Kosovës e kundër Gjykatës Speciale, ndërsa ata sot protestojnë sepse po i humbin privilegjet e tyre.
Sa më shumë që bllokojnë e bëhen bashkë kundër Albin Kurtit, aq më shumë do të bie mbështetja për ta. Ne vazhdojmë fuqishëm me mbi 50%, ata le të mbesin të bashkuar, gjithnjë më të vegjël.
Shteti nuk ndalet.
VVazhdojmë!
