Prokurorët në Milano kanë hapur një hetim për disa shtetas italianë që dyshohet se kanë paguar para për të marrë pjesë në luftën e Bosnjës, duke qëlluar mbi civilë në Sarajevë për “argëtim”, gjatë rrethimit të qytetit mes viteve 1993 dhe 1995. Gjatë atij rrethimi u vranë rreth 11 mijë njerëz.
Sipas gazetave italiane Il Giorno dhe La Repubblica, këta persona – të përshkruar si fanatikë të armëve dhe simpatizantë të ekstremit të djathtë – dyshohet se kanë udhëtuar nga Italia për në Bosnjë, ku u kanë paguar para ushtarëve serbë për t’u lejuar të qëllonin mbi banorët e Sarajevës.
Hetimi, i hapur nga prokurori Alessandro Gobbis, ka si qëllim të identifikojë këta të ashtuquajtur “snajperë fundjave”, që paguanin për të vrarë njerëz. Ata akuzohen për vrasje me dashje, të shoqëruar me mizori dhe motive të shëmtuara.
Kallëzimi penal është bërë nga shkrimtari dhe gazetari Ezio Gavazzeni, me ndihmën e dy avokatëve dhe ish-gjyqtarit Guido Salvini. Ai pretendon se ka mbledhur dëshmi në disa qytete të Italisë veriore, ku thuhet se këta persona janë organizuar në Trieste, pastaj janë transportuar drejt kodrave rreth Sarajevës për të marrë pjesë në sulme ndaj civilëve, pasi kishin paguar milicitë serbe të Radovan Karaxhiçit.
Në dosjen e hetimit përfshihet edhe një raport i dërguar nga ish-kryetarja e bashkisë së Sarajevës, Benjamina Kariç, që flet për “të huaj të pasur të përfshirë në veprime çnjerëzore”.
Aktualisht, hetimi ndodhet në fazat e para dhe përfshin vetëm dokumentet e paraqitura nga kallëzuesi. Prokurori Gobbis pritet të thërrasë dëshmitarët dhe personat e përmendur në javët e ardhshme.
Sipas Gavazzenit, këto vrasje kishin madje edhe “çmime” të ndryshme: “Fëmijët kushtonin më shumë, pastaj burrat (veçanërisht ata me uniformë), më pas gratë, ndërsa të moshuarit mund të vriteshin falas”, shpjegon ai.
Në kallëzim përmendet edhe dokumentari “Sarajevo Safari” (2022) i regjisorit Miran Zupaniç, ku flitet për të huaj që paguanin për të qëlluar mbi banorët e qytetit. Shkrimtari Gavazzeni thotë se mund t’i dorëzojë autoriteteve italiane kodet e hyrjes për ta parë filmin në platformën e Al Jazeera-s.
Burime të tjera përmendin se përveç italianëve, mes “turistëve të luftës” kishte edhe amerikanë, kanadezë dhe rusë – njerëz të pasur që kërkonin “emocione të forta”.
Shërbimet sekrete boshnjake dyshojnë se pas gjithë kësaj fshihej Shërbimi i Sigurimit Shtetëror Serb, i cili përdorte kompaninë ajrore serbe Aviogenex për transport. Në këtë rrjet dyshohet të ketë luajtur rol edhe Jovica Stanishiç, tashmë i dënuar për krime lufte nga Gjykata e Hagës.
Në kallëzim përfshihet edhe dëshmia e John Jordan, një ish-zjarrfikës amerikan që ka shërbyer vullnetarisht në Sarajevë. Ai ka rrëfyer para Gjykatës së Hagës në vitin 2007 se ka parë njerëz të huaj me armë, të cilët nuk dukeshin si vendas, dhe që drejtoheshin nga serbët lokalë.
Në Milano, për të kujtuar këtë periudhë tragjike, është hapur ekspozita “Qitje në Sarajevë” në Casa della Memoria, që përkujton 30 vjetorin e rrethimit të qytetit.
/tiranapost
