Shkencë & Teknologji

Pajisjet që nuk duhen lidhur me një kabllo zgjatuese

Kabujt zgjatues janë ndër pajisjet më të zakonshme në çdo shtëpi – të përshtatshëm për të lidhur më shumë pajisje elektrike në të njëjtën kohë.

Megjithatë, përdorimi i tyre i gabuar mund të sjellë pasoja serioze për sigurinë. Në vend që të jenë një zgjidhje e përkohshme, në shumë raste ato shndërrohen në burim të përhershëm energjie për çdo gjë: nga karikuesit e telefonave deri te ngrohësit. Dhe pikërisht këtu lind rreziku – jo të gjitha pajisjet janë të sigurta për t’u lidhur me kabllo zgjatuese, raporton Vijesti.

 

Ngrohës dhe radiatorë

Ky është ndoshta gabimi më i zakonshëm dhe më i rrezikshëm. Ngrohësit konsumojnë shumë energji dhe gjenerojnë nxehtësi, e cila mund ta mbinxehë shpejt kabllon. Nëse izolimi shkrihet, një shkëndijë e vogël mjafton për të shkaktuar zjarr. Prandaj, ngrohësit duhet të lidhen gjithmonë drejtpërdrejt në prizë muri.

 

Kondicionerë dhe ngrohës me vaj

Ashtu si ngrohësit klasikë, edhe këto pajisje kanë konsum të lartë energjie. Kordonët zgjatues shpesh nuk përballojnë dot ngarkesën, veçanërisht nëse në të njëjtin zgjatues janë lidhur edhe pajisje të tjera. Kur kompresori i kondicionerit ndizet, ndodh një rritje e menjëhershme e rrymës, e cila mund të dëmtojë motorin ose instalimet elektrike.

 

Lavatrice dhe lavastovilje

Këto pajisje ndryshojnë vazhdimisht fuqinë gjatë punës, sidomos kur ngrohin ujin. Këto ndryshime të tensionit mund të shkaktojnë mbinxehje te kablloja zgjatuese, sidomos në ambiente me lagështirë, si banjot. Përdorimi i tyre përmes kabllove zgjatuese duhet shmangur plotësisht.

 

Mikrovalë dhe tosterë

Edhe pse duken të padëmshme, këto pajisje të vogla konsumojnë shumë energji kur janë në funksion. Një mikrovalë mund të “shpërthejë” lehtësisht një siguresë nëse ndan kabllon me pajisje të tjera. Më e sigurt është që të lidhet në prizë më vete.

 

Hekuri

Hekuri kombinon nxehtësi dhe konsum të lartë energjie. Kur përdoret me kabllo zgjatuese me cilësi të dobët, rreziku i mbinxehjes rritet – veçanërisht nëse kablloja është e mbështjellë dhe nuk mund të shpërndajë nxehtësinë.

 

Tharëse flokësh dhe piastre

Në dukje praktike për përdorim në banjo, por shumë të rrezikshme. Këto pajisje kanë konsum të lartë në periudha të shkurtra kohe. Nëse kablloja nxehet, në kombinim me lagështinë e banjës, rreziku rritet ndjeshëm.

 

Karikues për laptopë dhe telefona

Vetë karikuesit nuk janë problem, por kur disa të tillë lidhen në të njëjtin kabllo me pajisje më të mëdha, sistemi mbingarkohet. Kjo mund të dëmtojë si karikuesin, ashtu edhe pajisjen elektronike.

 

Kur duhet ndërruar kablloja zgjatuese?

 

Nëse ndjeni erë plastike të djegur, kablloja nxehet gjatë përdorimit, prizat janë të lira ose pajisjet fiken vetë – këto janë shenja të qarta konsumimi.

Mos harroni: kabllot zgjatuese nuk janë të përjetshme. Ato nuk janë krijuar për përdorim të vazhdueshëm dhe, me kalimin e kohës, mund të bëhen burim serioz rreziku.

Të Ngjashme